Liderët e BE u morrën vesh midis tyre që të përmbahen nga marrja e masave antikrizë brenda për brenda komunitetit për luftën kundër krizës financiare botërore. Kjo do të thotë, në veçanti, se vendet kryesore të BE nuk duhet të marrin masa të tilla antikrizë, të cilat janë të afta të ndikojnë negativisht në ekonomitë e vendeve të tjera evropiane. Temën e shtjellon më tej në materialin e vet komentatori i radiostacionit “Zëri i Rusisë” Dimitri Fonin. Autori shkruan si më poshtë vijon: Në ditët tona, kur kriza ka përfshirë gjithë kontinentet, kur po shëmben me rropullimë shumë stereotipe, merren vendime të papritura, të befasishme. Evropa Lindore, bile edhe pasi u bë pjesë e hapësirës formale unike, nuk fitoi dot megjithatë statusin e të barabartit. Ja ndaj cilit moment, në lidhje me këtë fakt, tërheq vemendjen ekspertja e Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës Olga Butorina: “Specifika e shteteve të Evropës së “re” konsiston në atë, se ekonomitë e tyre janë fort të integruara në sistemin botëror, kujton Olga Butorina. “Prandaj vendet evropianolindore janë më pak rezistente ndaj faktorëve ndikues të brendshëm dhe të jashtëm dhe për këtë arsye mund të parashikohet se valutat e tyre do të zhvlerësohen më shpejt dhe do të rikthehen më ngadalë në gjendjen e vet të parakrizës. Mund të pritet gjithashtu që në kushtet e krizës qendrimi i tyre ndaj Rusisë të jetë më pak i politizuar”, konfirmon me bindje ekspertja. Aspektin më të gjerë të perspektivave të bashkëveprimit të Rusisë dhe BE, në tërësi, dhe vendeve të veçanta të Evropës së “re”  dhe asaj të “vjetër” politologu i njohur gjerman Alekandër Rar e analizon në këtë mënyrë: Pas bashkimit të vendeve anëtare të reja të BE me Aleancën VeriAtlantike roli i tyre, sigurisht, që është rritur në mënyrë të qenësishme dhe Evropa e “vjetër” është e detyruar aktualisht të marrë parasysh gjithnjë e më shpesh mendimin e tyre”, thotë Aleksandër Rar. “Në të njëjtën kohë në planin ekonomik ato varen plotësisht nga shtetet më të fuqishme evropiane. Por para të tepërta në kushtet e tanishme nuk kanë as ato, as Brukseli. Solidariteti mbarëevropian po vë në këtë mënyrë në provë fortësinë, qendrueshmërinë e vet. Ndërsa në qoftë se BE dhe pjesë të veçanta të tij do të vazhdojnë të konfliktojnë edhe më tej me Rusinë, atëhere në perspektivë ato mund të humbasin pozitën aktuale komforte, të favorshme si partnerë të privilegjuar të vendit tonë”, mendon Aleksandër Rar.