Rusia dhe Spanja po bëhen partnere strategjike. Kjo vihet në dukje në deklaratën e aprovuar sot nga Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev dhe Kryeministri i Spanjës Hose Luis Rodriges Sapatero. Në dokumentin e aprovuar sipas rezultateve të vizitës së liderit të Rusisë në Gadishullin e Pirenejve shpallet vendosja e marrëdhënieve të partneritetit strategjik mes Federatës Ruse dhe Mbretërisë së Spanjës, i cili përfshin të gjitha fushat e marrëdhënieve, aspektin politik, ekonomik, kulturor, shkencor, teknik dhe arsimor. Në Deklaratë vihet në dukje se të dyja palët kanë arritur një nivel shumë të lartë dhe me cilësi bashkëpunimi si në fushën e marrëdhënieve dypalëshe, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare. Të dyja palët u morrën vesh për atë se takimet e presidentit të Rusisë dhe Kryetarit të qeverisë së Mbretërisë së Spanjës do të zhvillohen jo më rrallë se një herë në vit me qëllim që t’i jepet impuls gjithë spektrit të marrëdhënieve që përbëjnë partneritetin strategjik. Rusia dhe Spanja konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, kriminalitetit të organizuar dhe trafikimit ilegal të drogës si dhe në kapërcimin e pasojave të fatkeqësive të natyrës dhe katastrofave teknogjene. Moska dhe Madridi kanë ndërmend të inkurajojnë bashkëpunimin në fushën e shkencës. Do të zhvillohet edhe bashkëpunimi në shfrytëzimin e energjisë atomike dhe hapësirës kozmike për qëllime paqësore. Në konferencën përfundimtare për shtyp lideri i Rusisë vuri në dukje se në zhvillim të deklaratës së nënshkruar firmat e Rusisë tashmë përfunduan një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në fushën energjetike, atë të transportit, sferën financiare dhe ushtarake. Dimitri Medvediev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve vuri në dukje se të dyja palët diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me situatën botërore dhe problemet e krizës ekonomike globale. “Të dy shtetet mendojnë se probleme të tilla mund të zgjidhen vetëm si rezultat i ndërmarrjes së përpjekjeve të përbashkëta, si rezultat i bashkërendimit të veprimeve të të gjithë lojtarëve  botërorë kyçë. Sot nuk mund të mbështetemi më në vendimet që janë marrë nga një shtet i vetëm apo një grup shtetesh. Vendime të tilla nuk do të bëjnë kurrëfarë efekti, po ashtu si nuk bëri efekt edhe ajo strukturë e sigurimit financiar, e cila u formua në planetin tonë para 60-70 vitesh”, theksoi lideri i Rusisë. Natyrisht që Dimitri Medvediev dhe Hose Luis Rodriges Sapatero diskutuan edhe problemin e ndërtimit të një sistemi të ri të sigurimit kolektiv në Evropë. “Këtu shumë gjëra do të varen nga pozita e SHBA-s”, u shpreh lideri rus. “Në qoftë se administrata e re e SHBA-s do ta gjykojë me mendje të kthjellët këtë çështje dhe do të propozojë ndonjë konstruksion të ri, që t’i kënaqë të gjitha vendet evropiane, si dhe vetë SHBA-s, dhe do të jetë i pranueshëm për Rusinë, atëhere ne jemi të gatshëm për ta diskutuar atë. Por ky duhet të jetë një konstruksion normal plotësisht i vlefshëm, global dhe jo fragmente të tij, të cilat kihet ndërmend të dislokohen pranë kufijve të Rusisë. Sinjalet që Moska po merr tani për tani nga partnerët amerikanë, dëshmojnë, të paktën, për një gjë, dhe pikërisht, se Uashingtoni është i gatshëm për ta diskutuar këtë problem. Dhe vetëm kjo e marrë në vetvete është diçka e mirë”, konkludoi lideri rus. Në Madrid u nënshkrua marrëveshja mbi realizimin e transitit ushtarak spanjoll të ngarkesave të destinacionit paqësor dhe forcës së gjallë për në Afganistan, e cila u përfundua me iniciativën e Spanjës dhe i përgjigjet bashkëpunimit mes Rusisë dhe Aleancës VeriAtlantike. “Rusia dhe Spanja janë të interesuara njëlloj që në tokën afgane të mbizotërojnë paqja dhe stabiliteti. Rusia është e gatshme për të dhënë kontributin e vet në këtë duke ndihmuar kontingjentin spanjoll, që vepron në këtë republikë të Azisë Qendrore”, theksoi lideri i Rusisë në konferëncën e organizuar për shtypin në Madrid.