Kriza ekonomiko-financiare botërore nuk do të sjellë tronditje sociale në Rusi. Për këtë është mëse i bindur Dimitri Medvediev. Presidenti i Rusisë u shpreh për këtë në intervistën dhënë gazetarëve spanjollë në vigjilje të vizitës së vet zyrtare në Madrid, për ku do të niset nga Italia në mbrëmje vonë. “Kriza gjithmonë krijon probleme për shtetin, për qytetarët e tij, krijon lindjen e tensionit në shoqëri”, pranon Dimitri Medvediev. Por megjithatë Presidenti rus shpreh bindjen e vet se ndryshime dramatike në Rusi nuk do të ketë. Sepse aktualisht vendi ndryshon në mënyrë kardinale nga ai i 10-15 viteve më parë. “Kriza ekonomike, për mendimin tim, shprehet ai, nuk do të japë goditje fort të ndjeshme mbi stabilitetin social. Por, sigurisht, që ne nuk duhet të lejojmë që niveli i jetesës së popullsisë në vend të rikthehet tek ai i viteve 90-të shekullit të kaluar, kur pjesa dërrmuese e popullsisë ishte tepër e vobektë. Dhe, pikërisht, kjo është dhe detyrë kryesore e shtetit, detyrë primare e qeverisë. Për arritjen e këtij qëllimi drejtohen vendimet kryesore financiaro-ekonomike të autoriteteve”, u shpreh ai. Presidentit rus i drejtuan edhe pyetjen që kishte të bënte me korrupsionin në Rusi, për luftën kundër të cilit kohët e fundit janë ndërmarrë përpjekje të mëdha."Lufta kundër korrupsionit duhet të zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme, sipas planit, megjithëse nuk duhet të shpresohet gjatë kësaj për arritjen e rezultatave të menjëhershme. Në këtë situatë ekzistojnë 2 modele qendrimesh. Mund të rilaksohesh e të pajtohesh me disfatën tënde. Por mund dhe të përpiqesh të bësh ndonjë gjë. Unë zgjodha për vete variantin e dytë”, u dha sqarime gazetarëve për ndërmarrjen e masave antikorrupsion Kreu i shtetit rus. U bë fjalë gjithashtu, sigurisht, edhe për politikën e jashtme, në veçanti, mbi mundësinë e krijimit të bazave amerikane të mbrojtjes antiraketë në Evropë. Dimitri Medvediev pranoi sinqerisht, se shpreson shumë në qendrimin kreativ të administratës së re amerikane ndaj këtij problemi. “Le t’u përgjigjemi së bashku rreziqeve kërcënuese dhe jo të izolojmë njëri-tjetrin nga këto procese. Unë shpresoj se administrata e re e SHBA-s do të mbajë një qendrim më krijues, më të arsyeshëm ndaj problemit në fjalë. Dhe sinjale të tilla ne kemi marrë tashmë prej kolegëve tanë amerikanë”, konkludoi Dimitri Medvediev. Presidenti i Rusisë vuri në dukje se ka ndërmend ta diskutojë këtë çështje në takimin e vet të parë me homologun amerikan Barak Obama. Dimitri Medvediev do të mbërrijë në Madrid sonte në mbrëmje vonë. Programi zyrtar i vizitës së tij do të fillojë më 2 mars me ceremoninë e pritjes së liderit rus dhe bashkëshortes së tij nga Mbreti i Spanjës Huan Karlos dhe Mbretëreshës Sofia. Ndërsa për datën 3 mars është planifikuar zhvillimi i negociatave të detajuara me Kryeministrin spanjoll Luis Rodriges Sapatero. Lideri rus do të vizitojë gjithashtu parlamentin e vendit, bashkinë e kryeqytetit spanjoll, si dhe do të marrë pjesë në mbledhjen rreth tryezës së rrumbullakët të forumit me temë “Dialogu i shoqërisë civile”. Ndërsa sipas rezultateve të negociatave do të nënshkruhet Deklarata mbi partneritetin strategjik.