U njoftua se në fund të marsit parlamentarët e Rusisë dhe ata evropianë do të diskutojnë së bashku projektin e gazsjellësit “Rryma Veriore”. Ndër iniciatorët e takimit është komiteti për pasuritë natyrore, shfrytëzimin e natyrës dhe ekologjinë në Dumën Shtetërore të Rusisë që kryesohet nga Natalia Komarova. Situatën e tanishme që është krijuar rreth këtij gazsjellësi ajo e komenton në këtë mënyrë: “Tregun e gazit unë e vlerësoj me këtë formulë: “evoluim, ekologji dhe energji”. Këtij trekëndëshi të qendrueshëm disa duan që t’i shtojnë pjesën e katërt përbërëse, dhe pikërisht, politikën. Por atëhere tregu do të fillojë të lëkundet, gjë kjo, që ndodhi në janar të këtij viti për shkak të veprimeve të Ukrainës. Ndërsa sot projekti me perspektiva më të qarta, që do të kalojë nëpër fundin e Detit Balltik, po minohet nga pozita e veçantë, specifike e Polonisë. Projekti në fjalë është me perspektiva të mëdha dhe i pashembullt për nga vështirësitë e realizimit të vet teknik. Itinerari i tij do të kalojë nëpër fundin e detit me reliev mjaft të thyer, ku veç kësaj, janë fundosur edhe armë kimike. Edhe lundrimi i anijeve këtu është tepër i gjallë”, u shpreh ajo. Vallë mos do të bëhet “Rryma Veriore” në të vërtetë faktor rreziku për vendet e këtij rajoni? “Çdo veprimtari e njeriut ndikon negativisht në mjedisin rrethues, bile edhe ekzistenca jonë pasive, në qoftë se, p.sh, ne kalojmë thjesht nëpër rrugë ose flemë në divan. Specialistët mendojnë dhe unë jam plotësisht dakort me mendimin e tyre, thotë Natalia Komarova, se transportimi i hidrokarbureve nëpër fundin e objekteve ujore ekologjikisht është më me përparësi, se sa transportimi tokësor i tyre. Këtu ka rëndësi një gjë tjetër, dhe pikërisht, bërja e llogaritjeve dhe studimeve të sakta paraprake. Rusia po përgatit një shoqërim serioz ekologjik të projektit. Bile që tani ekzistojnë disa vëllime të ekspertizës së pavarur evropiane. Tani ato iu paraqitën për aktgjykim vendeve të interesuara”. A nuk është vallë kjo dëshmi e vullnetit të mirë? Dhe nuk duhet të lihet në harresë fakti se Rusia zotëron përvojë të madhe në ndërtimin e gazsjellësve të tillë, p.sh., nëpër fundin e Detit të Zi me thellësitë e tij të pamata, të mbushura në pjesën e poshtme me gaze sulfurore”, shprehet Natalia Komarova. Po përse në këtë rast vendi ynë është dakort që të përballojë këto vështirësi me të vërtetë të mëdha? “ Rëndësia e projektit për Rusinë konsiston në krijimin e kushteve të cilat garantojnë zbatimin e zotimeve sipas kontratave perspektive. Ne po krijojmë alternativën e cila do të garantojë partnerët evropianë nga çrregullimet në furnizimet, nga tekat dhe konjuktura politike e vendeve tranzitore. Askush përveç nesh në një të ardhme të afërt nuk do të mund ta sigurojë dot Evropën me gaz. Thonë se pasuria e ngarkon pronarin me një përgjegjësi të madhe. Dhe, ja, vendi ynë, Rusia e kupton për mrekulli këtë përgjegjësi që ka parara konsumatorëve evropianë të gazit”, konkludoi në përfundim të intervistës së vet dhënë radistacionit "Zëri i Rusisë"  Kryetarja e Komitetit për pasuritë natyrore në Dumën Shtetërore të Rusisë Natalia Komarova.