Në Moskë i pritën me keqardhje kërcënimet e autoriteteve ukrainase në adresë të Ambasadorit të Rusisë në Kiev Viktor Çernomirdin. Veprimet e palës ukrainase u vlerësuan nga MPJ e Rusisë si aspak miqësore, që bëhen pengesë për krijimin e një atmosfere konstruktive në marrëdhëniet dypalëshe. Konflikti diplomatik midis dy vendeve lindi më 17 shkurt, kur Viktor Çernomirdin u ftua në dikasterin e politikës së jashtme të Ukrainës. Kreu i tij Vladimir Ogrrizko i deklaroi protestë ambasadorit rus për thëniet jomiqësore dhe jodiplomatike të shprehura nga ai në adresë të udhëheqjes ukrainase. Gjatë kësaj atij iu bë paralajmërimi, se ambasadori mund të shpallet persona non grata. Konstantin Zatulin, deputet i Dumës Shtetërore të Rusisë, e quajti këtë demarsh të paprecedentshm:  Unë nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjë gjë e tillë kurrë ndonjëherë më parë ndaj ambasadorëve rusë apo sovjetikë që nga kohërat e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Vërtet në Ukrainë u gjendën shpikës të praktikës së shpalljes persona non grata të politikanëve, gazetarëve, shkencëtarëve nga Rusia për shkak të mendimeve dhe ideve të tyre. Vetë e marrë në vetvete një sjellje e tillë nuk e zbukuron aspak Ukrainën. Ajo është shkelje brutale e frymës dhe gërmës së Traktatit mbi miqësinë, bashkëpunimin dhe partneritetin midis dy vendeve. Por kërcënimi i ambasadorit del përtej gjithë kufijve të lejueshëm. Vetë Viktor Çernomirdin i shpjegon në këtë mënyrë pretendimet e shfaqura ndaj tij nga ana e palës ukrainase: Autoritetet ukrainase janë të pakënaqura nga mënyra se si unë komentova ngjarjet e paradokohshme në vend. Para së gjithash kjo kishte të bënte me gazin, me ato bisedime që po zhvilloheshin. Fjalë bëhet mbi krizën e një kohe jo të largët që shpërtheu midis Rusisë dhe Ukrainës në fillim të këtij viti. Atëhere udhëheqja ukrainase bllokoi furnizimet tranzite të gazit rus në Evropë duke u përpjekur të arrijë me këtë sigurimin e çmimeve më të ulta të gazit për veten. Ai ishte një shantazh i hapur, i cili nuk i dha kurrëfarë dividentesh autoriteteve ukrainase, por përkundrazi, e paraqiti politikën  e tyre nën një dritë aspak të favorshme për to. Viktor Çernomirdin në intervistën e vet dhënë gazetës “Komsomolskaja pravda” i lejoi vetes të vërë pikat mbi “i”. Po e citojmë atë: “ Me këtë udhëheqje ukrainase është e pamundur të merresh dot vesh, deklaroi ai. Kur të vijnë njerëz të tjerë në pushtet , atëhere të shohim. Do të vijnë patjetër njerëz me mendje të kthjellët, normalë”… Me që ra fjala, pikërisht këto thënie dhe u bënë shkas për shfaqjen e pretendimeve ndaj ambasadorit rus. Politologu ukrainas Mihaill Pogrebinskij e vlerëson skandalin rreth personit të Viktor Çernomirdinit si shfaqje të konvulsioneve të regjimit aktual të Ukrainës, i cili në fund të qendrimit të vet në pushtet, thjesht, dëshiron të bëjë sa më shumë të këqia.