Udhëheqësit e vendeve me ekonomi më të zhvilluar në botë po kërkojnë rrugëdaljet nga kriza financiare globale. Pikërisht kësaj teme iu kushtuan bisedimet telefonike të  Presidentit të Rusisë Dimitri Medvediev me Kryeministrin britanik Gordon Braun dhe Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel. Fjalë u bë konkretisht për përgatitjen e takimit antikrizë të “20-es së Madhe”, që do të zhvillohet  më 2 prill të këtij viti në Londër. Bashkëbiseduesit u bashkuan me mendimin se puna në këtë drejtim duhet të përshpejtohet. Dhe Dimitri Medvediev e informoi Gordon Braunin dhe Angela Merkelin për gatishmërinë e Rusisë për tu paraqitur atyre propozimet në lidhje me çështjet, të cilat do të ishte e arsyeshme që të diskutoheshin në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë. Viktor Supianov, Zëvendësdrejtor i Institutit të SHBA-ve dhe Kanadasë për çështjet ekonomike, shprehu mendimin e vet në lidhje me përmbajtjen e mundur të iniciativave të Rusisë. Ai u shpreh, se tani për tani ne nuk e dimë saktësisht se çfarë do të propozohet. Vetëm mund të supozojmë duke u nisur nga ajo se për çfarë kanë folur deri tani, në një mënyrë ose në një tjetër, liderët e Rusisë. Kihet parasysh që i gjithë sistemi  financiar ndërkombëtar  të bëhet më transparent. Së dyti, është e domosdoshme që të shmanget monopoli i një vendi, kur të gjitha vendimet merren vetëm nga SHBA, valuta e të cilave është njësi kryesore monetare e rezervave. Ndërsa ideja e tretë është që të krijohen valutat  rezervë, të cilat të kenë mbi bazën e barazisë me dollarin  fushën e veprimit të vet, gjë kjo që gjithashtu do të minimizojë rreziqet e lindjes së krizave. Unë mendoj se një tezë tjetër mund të bëhet propozimi mbi krijimin e njëfarë mekanizmi të drejtimit të lëvizjes së financave ndërkombëtare, me qëllim që të evidentohet ajo që ndodhi, dhe pikërisht prodhimi i tepërt kolosal i gjithëfarë letrave me vlerë, sasia e të cilave ua kaloi në mënyrë të konsiderueshme akteve reale që qëndrojnë pas tyre. Ka të ngjarë se në takimin e ardhshëm të  “20-es së Madhe” Rusia do të marrë gjithashtu iniciativën që të plotësohen pa kushte vendimet që merren nga vendet për luftën kundër krizës ekonomike botërore, me qëllim që të mos përsëritet historia me zotimet, të cilat u morën në takimin e mëparshëm të nivelit të lartë në Uashington, se do të respektohet moratoriumi për masat protekcioniste. Si përfundim doli se disa pjesëtarë kryesorë të “20-es ”, nuk u përmbajtën dot nga tundimi për të ndrequr sadopak gjendjen e ekonomive të veta kombëtare në kurriz të partnerëve të vet.