Sot, më 15 shkurt, në Rusi kremtohet 20 vjetori i largimit të trupave sovjetike nga Afganistani. Pikërisht në këtë ditë në vitin 1989 përfundoi lufta e pashpallur gati dhjetëvjeçare. Mund të flitet shumë mbi atë nëse ishte e justifikuar apo jo futja e trupave sovjetike në Afganistan, si dhe largimi i mëpastajshëm i tyre prej andej. Por e vërteta e pamohueshme konsiston në atë, se Afganistani vazhdon të mbetet “pikë e nxehtë” e planetit edhe në shekullin e XXI-të. Pas dislokimit atje në vitin 2001 të trupave të koalicionit antiterrorist në krye me SHBA-s në këtë vend vazhdojnë të ruhen pa ndryshime konfliktet e brendshme, divergjencat politike, veprimet terroriste. Këtyre iu shtua edhe një faktor tjetër i tillë, që e ndërlikon akoma dhe më shumë situatën, si rritja nga viti në vit e narkotrafikut. Afganistani tashmë është bërë një ndër vendet kryesore, në qoftë se mund të shprehemi kështu, për prodhimin e narkotikëve me përmbajtje opiumi. Të gjitha këto lejojnë që të arrihet në konkluzionin se problemet e Afganistanit si në shekullin e XX-të, ashtu dhe në atë aktual nuk mund të zgjidhen dot me përdorimin e forcës, deklaroi në intervistën ekskluzive dhënë radiostacionit tonë veterani i luftës afgane, Heroi i Bashkimit Sovjetik, Rusllan Aushev. “Ky problem, thotë ai, mund të zgjidhet me mjete të tjera. P.sh., me përpjekjet e diplomatëve. Megjithëse, sigurisht, Bashkimi Sovjetik duhej të kishte mbrojtur në ndonjë farë mënyre atje interesat e veta. Dua të vë në dukje, se deri përpara futjes së trupave sovjetike neve në Afganistan, thjesht, na adhuronin. Por edhe tani shumë nga guerrilasit afganë, që patën luftuar kundër nesh asaj kohe, po rivlerësojnë qendrimin e tyre ndaj rusëve. Ata kanë mundësi që të krahasojnë veprimet e forcave të koalicionit dhe ato të kontingjentit sovjetik. Dhe gjatë kësaj pjata e peshores anoi krejtësisht nga ana jonë. Kur isha në Afganistan në vitin 2005, afganët mu shprehën mua shumë sinqerisht, se ishte gabim i madh që ne luftuam kundër njëri — tjetrit. Të gjitha problemet duhej të zgjidheshin në mënyrë krejtësisht tjetër-me ndihmën e diplomacisë, përsëriti Rusllan Aushev, dhe zhvillimit të ekonomisë”. Me probleme analogjike u përballuan edhe trupat e koalicionit antiterrorist në krye me SHBA-s. Dhe u acaruan ato akoma dhe më shumë për shkak të pengesave që lindën gjatë transportimit në Afganistan të ngarkesave të domosdoshme nëpërmjet territorit të Pakistanit si dhe në lidhje me vendimin e udhëheqjes së Kirgizisë për mbylljen e bazës ushtarake amerikane “Manas” në territorin e saj. Në këtë situatë sytë e aleatëve të koalicionit u drejtuan sërish nga ana e Rusisë. Pikërisht për sigurimin e mbështetjes së saj dhe ishte llogaritur vizita në Moskë e delegacionit përfaqësues të lartë amerikan. Si rezultat i negociatave të zhvilluara në kryeqytetin rus, Rusia i dha  pëlqimin e vet SHBA-s për realizimin e transitit të mallrave të destinacionit jo ushtarak nëpërmjet territorit të saj në Afganistan. Përveç kësaj, u diskutuan edhe çështjet që kishin të bënin me mundësinë e dhënies së ndihmës ruse në modernizimin e ushtrisë kombëtare afgane dhe pjesëmarrjen e Rusisë në rimëkëmbjen e infrastrukturës së vendit të shkatëruar nga dekada të tëra veprimesh luftarake atje. Shefi i degës së Afganistanit të Institutit të Orientalistikës Viktor Korgun shprehet, se SHBA-s po përpiqen tashmë që prej kohësh të ingranojnë aktivisht Rusinë në zgjidhjen e problemeve afgane, meqenëse vetë u ndodhën në qorrsokak. Kurse thjeshtë rritja e numrit të forcave të armatosura në këtë vend pak gjëra do të mund të ndryshojë. Duhen iniciativa të reja, të freskëta që të stimulojnë aktivizimin e procesit të rregullimit të problemit afgan. Dhe tërheqja e Rusisë dhe aleatëve të saj për zgjidhjen e këtij problemi, ndoshta dhe është realizimi i një qendrimi të tillë, mendon Viktor Korgun.