Situata në Rusi në lidhje me krizën botërore është e kontrollueshme dhe pasojat e saj do të kapërcehen. Për këtë shprehu bindjen e vet Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev gjatë fjalës së marrë në programin “Vjesti nedjeli” (“Të rejat e javës”) të kanalit televiziv rus “Rassija”. Presidenti theksoi se kapërcimit të dukurive të krizës i shërbejnë rezervat mjaft serioze financiare që janë grumbulluar në vend për këto 5-7 vitet e fundit. Ato i lejojnë shtetit tu japë ndihmë e mbështetje atyre që e pësuan keq dhe vuajnë për shkak të ndërlikimit të situatës ekonomiko-financiare në botë dhe në vend. “Ne, sigurisht, tha ai, që i japim ndihmë jo vetëm sektorit shtetëror, jo vetëm ndërmarrjeve shtetërore, por edhe atyre private që duhet të dalin nga situata e vështirë aktuale me humbje minimale. Kjo nuk do të thotë aspak se ndihma u jepet pronarëve të tyre. Aksionerët duhet të kujdesen vetë për veten e tyre. Fjalë bëhet për mbështetjen e vetë ndërmarrjeve”, u shpreh Presidenti i Rusisë. Dimitri Medvediev konfirmoi se mjetet financiare të ndihmës shtetërore do të arrijnë deri tek nevojtarët edhe në sektorin privat, edhe në atë shtetëror. Sipas fjalëve të tij, ai personalisht nguli këmbë, në veçanti, në atë që në bankat e vendit të vendosen kontrollorë të posaçëm nga ana e Bankës Qendrore. Kjo është e domosdoshme që i gjithë sistemi të punojnë për sektorin real të ekonomisë, për qytetarët e zakonshëm, me qëllim që të paguhen në kohë rrogat, që paratë të cilat ndodhen në depozita të ushqejnë ekonominë ruse. Duke prekur problemin e devalvimit të rublës, Kryetari i shtetit rus vuri në dukje, se ai duhet të jetë i kujdesshëm, meqenëse udhëheqja e vendit mori vendimin për të mos lejuar tronditje me efekt shoku përkatësisht valutës kombëtare. Një tronditje e tillë mund të sillte me vete pasoja tejet të rënda për miliona qytetarë rusë, si dhe për kompanitë e vendit. Duke folur mbi papunësinë, Dimitri Medvediev deklaroi se në momentet aktuale udhëheqja e vendit së bashku me autoritetet rajonale po përgatit pragrame speciale për hapjen e vendeve të re të punës. Numri i regjistruar i të papunëve i tejkaloi tani të 1,7 milionët. Për zgjidhjen e problemeve me papunësinë shteti rus caktoi edhe 44 miliardë rubla. Kjo, në veçanti, do të lejojë rritjen e ndihmave sociale për ta dhe ndërtimin e ndërmarrjeve të reja. Dimitri Medvediev theksoi se për rikualifikimin e punëtorëve dhe punonjësve do të shpenzohen shuma të konsiderueshme nga buxhetet federal dhe ata rajonalë. Presidenti rus ka ndërmend të analizojë situatën në vend dhe të tregojë mbi masat antikrizë vazhdimisht në eterin e kanaleve kryesore televizive të vendit. Sot kjo ishte biseda e tij e parë e këtij lloji.