Në Shën Peterburg u zhvillua ceremonia e promovimit të projektit unikal të entit botues-përmbledhja me 4 vëllime e veprave të panjohura deri tani të shkrimtarit të shquar rus, laureatit të Çmimit Nobel, Aleksandër Sollzhenjicin. Promovimi i botimit të ri me pjesëmarrjen e së vesë së shkrimtarit, Natalia Sollzhenjicinës, u organizua në thesarin më të vyer e më të moçëm të Rusisë-në Bibliotekën Kombëtare Ruse. Dhe kjo nuk është aspak diçka e rastësishme. Pikërisht në këtë bibliotekë në vitin 2007, kur shkrimtari ishte ende gjallë, u përpilua bibliografia e tij e parë fondamentale. Treguesi bibliografik ka përfshirë në vetvete listën e gjithë veprave të shkrimtarit, që janë botuar në kohëra të ndryshme në libra të veçantë ose në shtypin periodik, si dhe letërsinë ruse dhe atë rusishtfolëse të huaj kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Aleksandër Sollzhenjicinit. Tani me këtë katalog mjaft të pasur bibliografik çdo njeri mund të njihet në Internet–sajtin kushtuar shkrimtarit. Në një kohë të afërt ai do të pasurohet me veprat e panjohura deri tani të Sollzhenjicinit. E para ndër to është “Ditari i Romanit”  “Rrota e kuqe”, që përbën në vetvete epopenë e historisë ruse të shekullit të XX-të. Këtë “Ditar” Sollzhenjicini e ka mbajtur 25 vjet me radhë paralelisht me punën që bënte mbi romanin, duke krijuar me këtë precedentin e lindjes së një gjinie krejtësisht të re në letërsinë botërore. Shkrimtari e quajti “Ditarin” si “bashkëbiseduesin e vet të fshehtë”. Por  “ky bashkëbisedues” nuk ka qenë i vetmi në krijimtarinë e tij. Ndër veprat e tij të panjohura deri tani për lexuesin mund të përmendet edhe “Koleksioni letrar” i çuditshëm, i mrekullueshëm i Sollzhenjicinit. Libri përmban një seri të tërë përsiatjesh mbi shkrimtarët rusë, të parashtruara në mënyrë të tillë sikur vetë Sollzhenjicini ka mishëruar në jetë mendimet dhe idetë e tyre. Për këtë libër autori zgjodhi si “bashkëbisedues”, para së gjithash, klasikët-p.sh., Turgenjevin, Gonçarovin dhe Buninin. Letërsia ruse-në një këmbë me historinë ruse-ka qenë përherë një ndër objektet kryesore të përsiatjeve të Aleksandër Sollzhenjicinit. Me të ai lidhte jo dhe aq përfytyrimin e vet filologjik, se sa atë të detyrave moralo-etike të shkrimtarit. Kështu, në njërën nga intervistat e veta të fundit ai tha: “Letërsia është, para së gjithash, e përgjegjshme:përpara Perëndisë dhe njerëzimit. Shkrimtari, i cili ulet të shkruajë, në këtë kuptim nuk është i lirë. Ai është i lirë në përzgjedhjen e hulumtimeve të veta krijuese, por megjithatë përgjegjësia bie mbi të. Ja, një letërsi e tillë ka ekzistuar gjithmonë në Rusi dhe, unë jam mëse i bindur, se kështu do të jetë edhe në të ardhmen”. Në shekullin e XX-të si konfirmimi më i mirë i fjalëve të Aleksandër Sollzhenjicinit mund të shërbejë krijimtaria e vetë atij, trashëgimia kolosale letrare e të cilit do të duhet ende të përceptohet në kategoritë e lirisë dhe përgjegjësisë të propozuara nga shkrimtari.