Rusia dhe SHBA-s destinohen të luajnë rolin e liderëve në fushën e çarmatimit bërthamor dhe në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta në regjimin e mospërhapjes së armës së shfarosjes në masë dhe materialeve bërthamore. Për këtë Presidenti Barak Obama u shpreh gjatë konferencës së vet për shtyp mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. Vëzhguesi i “Zërit të Rusisë” Viktor Jenikejev komentoi në artikullin e vet fjalimin e tij. Ai shkruan, se vëmendjes së gazetarëve nuk u shpëtoi fakti se për domosdoshmërinë e bashkëpunimit në këtë fushë, nga më të rëndësishmet, me Rusinë Presidenti amerikan nisi të flasë me iniciativën e vet. Ai e bëri këtë duke iu përgjigjur pyetjes në se ekziston, sipas mendimit të tij, në Lindjen e Mesme ndonjë vend që zotëron armë bërthamore. Obama i bëri bisht përgjigjes së drejtpërdrejtë, por më vonë tha se në marrëdhëniet me Teheranin ekziston mundësia e respektit reciprok dhe arritjes së përparimit në këto marrëdhënie. Dhe po aty për aty shtoi se SHBA-s do të donin të fillonin një dialog konstruktiv dhe të hapur me të. Kjo është pikërisht ajo gjë, për të cilën Rusia dhe një sërë vendesh të tjera, i bëjnë thirrje Uashingtonit që prej kohësh. Duke lënë mënjanë disa mosmarrëveshje, mund të thuhet se Moska dhe Uashingtoni kanë bashkëpunuar në tërësi në mënyrë të  frytshme për problemet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut. Është më se e qartë, se synimi i administratës së re amerikane për të zënë një pozitë aktive në fushën e çarmatimit bërthamor dhe mospërhapjes së armës bërthamore, do të pritet pa dyshim me mirëkuptim të plotë nga Rusia. Prandaj, siç deklaroi në konferencën ndërkombëtare në Mynih Zëvendëskryeministri i Rusisë Sergei Ivanov, tani gjithçka varet nga gatishmëria e SHBA-s për tu ulur rreth tryezës së bisedimeve. Vetëm atëherë SHBA-s do të mund të kërkojnë me ndërgjegje të pastër nga shtetet e tjera që të respektojnë regjimin e mospërhapjes së armës bërthamore. Në kuadrin e këtyre gjykimeve Uashingtoni do ta ketë të vështirë që të heqë  dorë nga propozimet e Moskës për demilitarizimin e hapësirës kozmike dhe ndalimin e vendosjes së raketave strategjike jashtë kufijve të territoreve kombëtare. Kjo do të thotë se SHBA-s do të duhet të gjejnë  kompromis me Rusinë edhe në çështjen e vendosjes së rajonit të tretë pozicional të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket në Evropë. Sepse këto plane të Pentagonit parashikojnë nxjerrjen në hapësirën rrethtokësore të armës bërthamore. Konferenca e parë për shtyp e Barak Obamës forcon pozitat e atyre që e shikojnë të ardhmen e marrëdhënieve Rusi-SHBA me ndjenjën e optimizmit. Rusia, siç kanë deklaruar më se një herë presidenti Dimitri Medvediev dhe Kryeministri Vladimir Putin, gjithnjë do të jetë e gatshme për bashkëpunim konstruktiv, të barabartë dhe me leverdi reciproke me SHBA-s në të gjitha fushat që paraqesin interes reciprok.