Në Mynih do të hapet konferenca ndërkombëtare triditore për çështjet e sigurimit, për pjesëmarrje në të cilën po mblidhet një numër i pashembullt liderësh kombëtarë. Konferenca e tanishme është e 45-ta për nga numri. Në takimin e tillë të parë që u zhvillua në vitin 1962, temë kryesore e diskutimeve u bënë problemet e sigurimit dhe të zhvillimit të marrëdhënieve reciproke mes Evropës dhe SHBA-s. Por kulminacionin e rëndësisë së vet ky forum e arriti, pa dyshim, në vitin 2007, kur në të u mbajt një fjalim programatik nga Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin. Ai akuzoi në të Perëndimin në një formë të rreptë për besnikërinë e tij ndaj organizimit të botës njëpolare, gjë kjo që u prit nga shumëkush si fillim i periudhës së re të luftës së ftohtë. Në takimin e tanishëm delegacioni i Rusisë kryesohet nga Sergei Lavrov, Ministri rus i Punëve të Jashtme. Përpara takimit në Mynih ai vuri në dukje afërsinë e pozitave të Rusisë dhe SHBA-s për çështje të tilla si lufta kundër terrorizmit, stabilizimi i situatës në Afganistan, mospërhapja e armës së shfarosjes në masë. Kryetari i tanishëm i konferencës, diplomati i njohur gjerman Volfgang Ishinger mendon se tani si asnjëherë tjetër më parë është mëse e ngutshme detyra e domosdoshmërisë së kërkimit të një bazë të re për mirëkuptim mes Perëndimit dhe Rusisë. “Konferenca e tanishme, thotë ai, krijon mundësi që jo vetëm të njihesh me raportet zyrtare, por edhe të shoqërohesh në një atmosferë jo formale. Kjo ka shumë rëndësi për forcimin e mirëbesimit tek njëri-tjetri”. “Iniciativa e rishikimit të arkitekturës së sigurimit evropian dhe përfundimit të një traktati të gjithmbarshëm përkatës u morr nga Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev. Dhe kjo do të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve në konferencën në Mynih. Mbledhja kryesore plenare do të zhvillohet më 7 shkurt gjithashtu nën prizmin e vendit të ri dhe rolit të Rusisë në botë. Tema e saj do të jetë si vijon: “NATO, Rusia, nafta, gazi dhe Lindja e Mesme. E ardhmja e sigurimit evropian”. Ndër drejtimet e tjera të diskutimeve është situata në Afganistan, Ballkan, Kaukaz, sfidat globale dhe krizat e rendit botëror, si dhe debatet për sigurinë energjetike evropiane. Kriza e paradokohshme në sferën e gazit me Ukrainën tregoi se sa e paqendrueshme është gjendja në këtë fushë”, mendon Volfgang Ishinger. “Për ne ka rëndësi që jo vetëm vendet konsumatore të shprehin mendimet e veta për këtë problem, por edhe ato shtete që furnizojnë gaz dhe naftë, dhe ato që merren me transportimin transit të lëndëve energjetike”, konkludoi ai. Ndër gati 300 pjesëmarrësit e konferencës prej 50 vendeve janë kryetarë shtetesh e qeverish, ministra, politikanë të autoritetshëm botërorë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.