Më 2 shkurt të vitit 1943 përfundoi Beteja e Stalingradit, një nga luftimet më të rëndësishme të Luftës së Madhe Patriotike. 200 ditë e netë vazhduan luftimet e ashpra në tokën pranë lumit Vollga. Që nga ajo kohë kanë kaluar tashmë 66 vjet. Mbi betejën pranë Vollgës, rëndësinë e saj, gjatë kësaj kohe janë botuar shumë vepra historike, letrare, publicistike, janë xhiruar mjaft filma. E megjithatë libri i parë që u shkrua nga një ish pjesëmarrës i luftës, shkrimtar, u bë i pari dhe më i miri për ato ditë luftimesh pranë brigjeve të Vollgës. Kjo është novela e Viktor Nekrasovit me titull “Në llogoret e Stalingradit”. Novela të krijon përshtypjen sikur nuk është shkruar, por treguar gjallërisht aty për aty me një frymë. Në të shkrimtari, vetë ish ushtar, tregon për ato që pa me sytë e vet, për ato gjëra që përjetoi, për ato ngjarje që iu ngulitën në mënyrë të pashlyeshme në kujtesë. Novela flet, në fakt, për atë se përse ne fituam, përse nuk u thye shpirti heroik i popullit. Sot, sipas mendimit tim, ia vlen t’u drejtohemi disa fragmenteve të novelës-esse të Viktor Nekrasovit, në të cilën ky artist i ndershëm dhe njeri burrëror ka shkruar si më poshtë vijon: “Pikërisht në ditën e shumëpritur-më 2 shkurt të vitit 1943-Armata e 6-të gjermane dorëzoi armët dhe komandanti i saj, feldmarshalli Paulus, nënshkroi Aktin e Kapitullimit pa kushte të Gjermanisë naziste. Beteja e Stalingradit përfundoi. Heshtën topat e artilerisë, topat e sistemit të mbrojtjes kundërajrore, katjushat, mortajat reaktive, breshëritë e mitrolozave. Dëgjoheshin vetëm shkrehjet e karikatorëve të automatikëve që thyenin qetësinë e natës së thellë, ndërsa qielli ndriçohej nga fashat e dritave të projektorëve, raketat dhe plumbat gjurmëlënës. Nga llogoret, blindazhet, bodrumet, të çarat e godinave, duke tundur flamurët e bardhë, me duart të ngritura përpjetë, filluan të dalin varganë të tërë ushtarësh e oficerësh gjermanë, të cilët që atë minutë u dorëzuan dhe u shndërruan në robër lufte. Dhe ata ishin plot 330 mijë veta. Para gjysëm viti ata erdhën deri pranë brigjeve të Vollgës — të fortë, të armatosur mirë, pasi përshkuan 1500 kilometra rrugë nëpër tokën sovjetike, mbasi kapërcyen lumenjtë Dnjepër dhe Don, pasi pushtuan gjithë Ukrainën e mbërritën në jug deri pranë Elbrusit dhe u ngjitën në të, ata dolën në brigjet e Vollgës. Ndërsa tani ata ecnin kokëulur, të ngrirë nga të ftohtit dhe me ankth në shpirt përkatësisht fatit të tyre të mëtejshëm. Po çfarë mund t’i priste ata? Hakmarrja? Poshtërimi? Tallja e rëndë? Ofendimet? Barbarizmi? Jo, asgjë e tillë nuk ndodhi në Stalingrad. Dhjetra, qindra të tillë kaluan nëpër duart e mia, llogoren time, llogoret e fqinjve të mi-ushtarë, të oficerëve të shtabit. Jo, nuk pati as fyerje, as egërsi ndaj tyre. Pati vend vetëm qesëndia: “ E çfarë? Arritët në Vollgë? E si ju duk ajo juve, a ju pëlqeu? A ia vlente vallë që të vërsuleshit drejt saj pa menduar se ku po shkoni? Ëëë?… Ndërsa në mes të shkurtit, pasi kapërcyem lumin dhe dolëm në bregun e majtë të tij, na futën nëpër vagona dhe u nisëm jo drejt lindjes, për pushim, siç mendonim ne të gjithë, por për në perëndim … Përpara-drejt Perëndimit! Këta rrjeshta u shkruan nga shkrimtari, ish ushtar fronti, Viktor Nekrasov më 2 shkurt të vitit 1983 në librin e tij me titull “Në llogoret e Stalingradit”, të cilin ai e nxorri në dritë 40 vjet pas përfundimit të Betejës së Stalingradit.