Me thirrjet “Aksios”, që në greqisht do të thotë “I denjë”, Mitropoliti Kirill sot u lartësua në Fronin e Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë në Tempullin e Krishtit Shpëtimtar-tempullin kryesor të Kishës Orthodhokse Ruse. Më këtë Kisha Orthodhokse Ruse kurorëzoi kreun e saj të 16-të, i cili u zgjodh në Këshillin Arkihieratik pas vdekjes së Patriarkut Aleksi i Dytë. Fronëzimi u zhvillua sot gjatë Liturgjisë Hyjnore dhe u shoqërua nga  veshja e Patriarkut të sapozgjedhur me perkun përkatës dhe dhënien atij të atributeve të denja për  patriarkun. Në ceremoninë në fjalë ishin të pranishëm përfaqësuesit e kishave orthodhokse simotra. Midis tyre Kreu i Patriarkanës së Aleksandrisë Fjodor, si dhe hierarkët e lartë të Kishave të Jeruzalemit, Çekisë, Antiohisë dhe Kishës Orthodhokse në Amerikë. Ishin prezentë në fronëzimin e Patriarkut edhe Presidenti i Federatës Ruse Dimitri Medvediev dhe Kryeministri Vladimir Putin. Gjatë zhvillimit të ceremonisë patriarkut Kirill iu dorëzua stapi i bariut të shpirtrave që i përkiste Mitropolitit të Parë të Moskës Pjotër, historia e të cilit e merr zanafillën e vet në fillimet e shekullit të XIV-të, kur Moska u bë seli e Kreut të Kishës Orthodhokse Ruse (KOR) duke konfirmuar me këtë trashëgiminë e shërbimit të MbiShenjtërisë së tij, Patriarkut të Parë rus. Duke iu drejtuar të pranishmëve në Tempullin e Krishtit Shpëtimtar Patriarku Kirill theksoi në mënyrë të veçantë rëndësinë e dialogut mes Kishës dhe shtetit, të bazuar mbi Kushtetutën që i shërben ruajtjes së paqes civile dhe mirëkuptimit. “Nuk ka dhe nuk mund të ketë në jetën e Patriarkut asgjë private, personale. Ai vetë dhe gjithë jeta e tij i përkasin fund e krye Perëndisë dhe Kishës”, tha Kirilli në fjalën e vet të parë që  mbajti pas fronëzimit. Perëndia hodhi mbi supet e Patriarkut një kryq të rëndë, mbajtja e të cilit kërkon vetëmohim të plotë dhe përkushtim të plotë ndaj atij shërbimi që iu ngarkua sot në momentin e fronëzimit në vendin e Patriarkut. Në urimin e vet drejtuar Patriarkut Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev vuri në dukje se fronëzimi i tij hap një epokë të re në zhvillimin e Orthodhoksisë dhe krijon kushte të reja për dialog të plotë, të vlefshëm dhe solidar midis KOR dhe shtetit. “Shërbimi Juaj është me të vërtetë një kryq jashtëzakonisht i rëndë, i madh”, iu drejtua Medvediev Patriarkut Kirill. “ Dhe heroizmi i shërbimit në fronin e Patriarkut, që ka patur vend në Rusi në Rusi deri përpara kësaj, ka qenë dëshmi e gjallë e vemendjes e qendrimit të kujdesshëm dhe të veçantë të Patriarkut ndaj popullit të vet, mbrojtjes së tij në rrethana tejet të ndërlikuara, ngandonjëherë bile dhe tragjike. Dhe sot, kur Rusia po zhvillohet, kur bota vazhdon të mbetet kontradiktore si dhe më parë, dhe, kur ajo mban mbi vete një vargan po të tillë problemesh si dhe shumë shekuj më parë, një punë e përbashkët e kësaj natyre do të jetë më se e domosdoshme. Rusia është një shtet mjaft i ndërlikuar në të cilin jetojnë njerëz të feve dhe kombësive të ndryshme. Në këtë kuptim misioni i Patriarkut është tej mase i veçantë”, theksoi Presidenti rus. Deri para se të zgjidhej Patriark, Kirilli pat shërbyer si Mitropolit i Smolenskut dhe Kaliningradit dhe pat kryesuar Departamentin për Lidhjet kishtare me jashtë të Patriarkanës së Moskës. Falë kësaj ai njihet mirë në botë. Kirilli ka marrë pjesë mjaft aktivisht në bashkimin e KOR me Kishën Orthodhokse Ruse të jashtë shtetit. Ndër meritat e tij mund të përmendet edhe zhvillimi i dialogut me Kishën Katolike. Patriarku i ri është 62 vjeç. Tashmë që prej më se 40 vjetësh ai ka pranuar jetën e murgut dhe ia ka kushtuar veten shërbimit ndaj Kishës Orthodhokse.