OKB-ja po kërkon kundërpërgjigjet adekuate për sfidat e kohës së sotme. Në Spanjë do të vendoset Qendra e Operacioneve të OKB-së për ruajtjen e paqes. Kjo parashikohet në marrëveshjen e nënshkruar më 28 janar nga Maria Tereza Fernandes de la Vega, zëvendës Kryeministre e qeverisë spanjolle dhe Ban Ki Mun, sekretar i përgjithshëm i OKB-së. Kjo qendër, që është e para në Spanjë dhe e dyta në Evropë, do të vendoset afër aeroportit të qytetit Valencia pranë bregdetit të Mesdheut në Spanjë. Në këtë qendër do të punojnë 300 bashkëpunëtorë ndërkombëtarë të OKB-së, të cilët në bashkëpunim të ngushtë me personelin e Qendrës së parë të tillë në Brindizi (Itali) do të duhet të planifikojnë, të përgatisë dhe të drejtojë operacionet paqeruajtëse të OKB-së në rajone të ndryshme të rruzullit tokësor. Siç theksojnë ekspertët, në uniformat blu të sotme hyjnë jo vetëm ushtarakët, por në një shkallë më të madhe policë dhe ekspertë civilë. Atyre u caktohet një rreth gjithnjë e më i gjerë detyrash, që nga veprimtaria e drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe mbikëqyrjen e plotësimit të marrëveshjeve të paqes e deri tek dhënia e ndihmës për ngritjen ekonomiko-shoqërore të vendeve. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të lihet në harresë edhe fakti se paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara shpesh dhe me të drejtë kritikohen. Shpesh paqeruajtësve u mungon përkrahja adekuate materialo-teknike, jo gjithnjë arrihet të sigurohet  niveli i duhur i përgatitjes dhe profesionalizmi i lartë. Lidhur me këtë Rusia i propozon OKB-së që të mendohet për rrugët e mundshme të përsosjes së veprimtarisë paqeruajtëse, thotë Andrei Kurtanov, President i fondit “EuroAzia e re”. Veprimtaria paqeruajtëse është një nga funksionet kryesore të kësaj organizate. Dhe kjo vetkuptohet, sepse pikërisht gjatë operacioneve paqeruajtëse shfaqet në një shkallë më të lartë ndikimi i OKB-së si në sigurimin global, ashtu dhe në atë rajonal. Nuk është aspak diçka e rastit se që në fillim të këtij viti diskutimi i të ardhmes së operacioneve paqeruajtëse të OKB-së përsëri është në rendin e ditës edhe të Këshillit të Sigurimit, edhe me sa duket nga të gjitha, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Është krejtësisht e qartë një gjë, se për rritjen e efektivitetit të operacioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara duhet të merren vendimet mbi forcimin e bazës ushtarake dhe financiare, si dhe mekanizmit ligjor, që siguron zhvillimin e tyre. Veç kësaj, është e domosdoshme që OKB-ja të vendosë bashkëpunim të ngushtë me organizatat rajonale, ndër të tjera, me forcat e reagimit operativ, të cilat po formohen, të Organizatës së Traktatit të Sigurimit Kolektiv, në të cilin hyjnë: Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Çështja e krijimit të tyre do të diskutohet më 4 shkurt në Moskë në takimin e jashtëzakonshëm të Organizatës. Rusia, nga ana e vet, ka ndërmend të forcojë pjesëmarrjen e sajt në operacionet paqeruajtëse nën egidën e OKB-së.