I propozojmë vemendjes së radiodëgjuesve bisedën e vëzhguesit tonë, kandidatit të shkencave historike, Pjotër Iskenderov kushtuar një teme aktuale. Autori shkruan. Në javët e para të vitit 2009 u acarua në mënyrë të dukshme situata në një sërë rajonesh ballkanike të mbarsura me konflikte vepruese dhe potenciale. Fjalë bëhet jo vetëm për Kosovën, ku serbët vendas refuzojnë të njohin vendimet e liderëve shqiptarë të Prishtinës dhe kanë ndërmend t’i bëjnë më të ngushta lidhjet e tyre ekonomike dhe politike me Beogradin, por edhe për komunitetet e Serbisë së Jugut-Preshevo, Medvegje dhe Bujanovac, me popullsi të përzierë serbo -shqiptare. Shqiptarët vendas në krye me kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik Riza Halimi ia hynë punës për realizimin aktiv në jetë të skenarit kosovar duke refuzuar çfarëdolloj bashkëpunimi me strukturat shtetërore dhe duke krijuar shoqërinë shqiptare të mbyllur në vetvete. Tashmë që në verë të këtij viti mund të pritet kalimi i konfliktit në Jug të Serbisë në fazën aktive të tij falë mbështetjes së marrë nga Kosova dhe Shqipëria. Tirana ia ka hyrë që prej kohësh punës për realizimin e një sërë projekteve për krijimin në Ballkan të “hapësirës unike ekonomike, politike, doganore dhe tregtare shqiptare”. Fjalë bëhet, në veçanti, mbi ndërtimin e aksit kryesor automobilistik me itinerar Durrës-Prishtinë, të cilit i japin një rëndësi strategjike në Tiranë dhe Prishtinë. Presidenti Bamir Topi bile e quajti trasenë e ardhshme “ mini-Shengen ” dhe shprehu bindjen e vet në atë se së shpejti ky “mini-Shengen” do të përfshijë edhe Maqedoninë e Malin e Zi. Paralelet me hapësirën vepruese pa viza, që përfshin shtetet sovrane të BE, janë më se transparente. Është mjaft interesant fakti se tenderin për ndërtimin e aksit të sipërpërmendur rrugor e fitoi koncerni amerikano-turk “Behtel-Enka”, ndër të tjera edhe për shkak të asaj rrethane, se shumica e investitorëvë të tjerë të mundshëm refuzuan të marrin pjesë në këtë projekt duke ia patur frikën politizimit të tepruar dhe karakterit “ shqiptaromadh” të tij. Projektet e përbashkëta ambicioze të Shqipërisë dhe Kosovës mund të cilësohen me të vërtetë si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të programit shqiptaromadh, i cili e merr fillesën e vet që në kufirin e shekujve XIX-XX-të. Pikërisht atëhere liderët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare shpallën si qëllim të vetin bashkimin në një shtet të vetëm të të gjitha territoreve të Gadishullit Ballkanik të populluara nga shqiptarët. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe pranimit të këtij akti nga ana e fuqive perëndimore, ia vlen të pritet shkallëzimi i tensionit në rajone të tjera të Ballkanit të populluara me shqiptarë, ndër të tjera, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbinë e Jugut dhe Greqi, shprehet me bindje kryeredaktori i së përjavshmes së autoritetshme beogradase “Geopolitika” Sllobodan Eriç. Pikërisht, për këtë arsye, është kaq e rëndësishme pozita principiale që zë Rusia, shprehet ai. “Pikërisht Rusia u bë pengesë për atë që pavarësia e Kosovës të njihej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Moska i dha mundësinë Serbisë që të vazhdojë luftën legjitime për kthimin e Kosovës nën kontrollin e vet. Deri tani pavarësinë e Kosovës e kanë njohur më pak se 1/3 e shteteve-anëtare të OKB-së. Por ndikim negativ në zhvillimin e mëtejshëm të situatës mund të ushtrojë vendosja në Kosovë e Misionit të BE, pavarësisht nga fakti se ai formalisht është i detyruar të ruajë karakterin neutral në çështjen që ka të bëjë me statusin e krahinës. Sepse shumica dërrmuese e vendeve-anëtare të BE tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe u pajtuan me dukjen atje të instituteve të pushtetit shtetëror. Tani, duke e vlerësuar vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian si mbështetje jo të dykuptimshme të separatizmit, liderët e shqiptarëve në rajonet fqinje do të fillojnë të apelojnë gjithashtu tek Brukseli duke kërkuar gjithnjë e më shumë të drejta dhe duke provokuar njëkohësisht autoritetet e shteteve “të veta” për përdorimin e forcës. Serbia e Jugut dhe Maqedonia do të bëhen stacione të radhës në rrugën drejt krijimit të “Shqipërisë së Madhe” në Ballkan”, mendon Sllobodan Eriç.