Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Sheffer e pa të arsyeshme që të shpallte në Bruksel mbi bashkërendimin me Moskën të datës 26 janar, kur pas një pauze të gjatë do të mblidhet Këshilli Rusi-NATO. Vërtet, tani për tani, vetëm në nivel ambasadorësh. Dhe, pavarësisht nga përmendja e një sërë mosmarrëveshjeve ekzistuese serioze në lidhje me një masë të tërë problemesh, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës bëri njëkohësisht edhe një deklaratë të tillë: “Rusia i duhet NATO-s, ndërsa NATO i duhet Rusisë”. Mbi perspektivat e mundshme të zhvillimit të marrëdhënieve të Rusisë me Aleancën VeriAtlantike përsiat në komentin e vet vëzhguesi ynë Anatoli Potapov. Mbledhja e Këshillit Rusi-NATO e 26 janarit, shkruan ai, megjithëse quhet “jo formale” mund të bëhej megjithatë në një farë mase një etapë e caktuar në rrugën e rivendosjes së mirëbesimit në marrëdhëniet e ndërprera. Duam t’i kujtojmë radiodëgjuesve tanë të nderuar, se shumica e vendeve të NATO-s në krye me SHBA-s, në kundërshtim me faktin evident të agresionit gjeorgjian të gushtit kundër Osetisë së Jugut, akuzoi Rusinë për gjoja përdorimin jo proporcional të forcës gjatë detyrimit të Gjeorgjisë për paqe. Pikërisht atëhere udhëheqja e Aleancës pezulloi punën e Këshillit Rusi — NATO. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj Rusia bllokoi një sërë programesh bashkëpunimi, mbylli Byronë Informative të NATO-s në Moskë. E megjithatë, pavarësisht nga marrëdhëniet e ndërlikuara me Aleancën, duke marrë parasysh faktin se kontingjentet e NATO-s po pësojnë disfatë faktike në Afganistan, Rusia u lejoi anëtarëve kryesorë të Aleancës -Francës dhe Gjermanisë- të realizojnë furnizimet e ngarkesave jo ushtarake në Afganistan nëpërmjet hapësirës ajrore ruse. Ndërsa për Gjermaninë një gjë e tillë u bë e mundur edhe nëpërmjet rrugës hekurudhore. Një furnizim i kësaj natyre i ngarkesave të sipërpërmendura po realizohet edhe tani pa kurrëfarë vonesash. Aktualisht, pas një analize të thellë e të pjekur të ngjarjeve të gushtit në Kaukaz, shumë vende të Aleancës rishikuan pozitën e vet të rreptë antiruse. Ja përse u morr vendimi për të caktuar për 26 janarin mbledhjen e Këshillit Rusi-NATO. Mendimin e vet në lidhje me këtë e shprehu përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë Aleancës Dimitri Rogozin. “Ekzistojnë, tha ai, probleme që kanë të bëjnë me kapërcimin e mosmarrëveshjeve tejet të ashpra, të cilat lindën në gusht të vitit 2008. Ne do të diskutojmë disa forma të mundshme të bashkëpunimit, në radhë të parë, në lidhje me Afganistanin dhe luftën kundër piraterisë detare. Përsa i përket mbështetjes së Ukrainës dhe Gjeorgjisë nga ana e NATO-s, ia vlen të merret parasysh ai fakt, se në Ukrainë tani mbretëron destabiliteti i plotë politik. Kurse përkatësisht Gjeorgjisë, duhet thënë, se në Perëndim e kuptojnë për mrekulli se me Mihaill Saakashvilin nuk mund të bëhen kurrëfarë punësh serioze”, konkludon përfaqësuesi i përhershëm i Federatës Ruse pranë NATO-s. Rusia jep të kuptohet në mënyrë të vendosur se forcimi i mirëbesimit në marrëdhëniet me NATO-n dhe zhvillimi i lidhjeve në sferën ushtarake presupozojnë heqjen dorë nga ana e Aleancës prej qendrimeve të blloqeve. Gjatë kësaj bashkëpunimi në sferën ushtarake është i mundur vetëm në lidhje me ato probleme që i përgjigjen interesave kombëtare të Moskës. Dhe, në tërësi, veprimtaria e Këshillit Rusi-NATO ka nevojë për ndryshime serioze. Shumë gjëra do të varen tani nga pozita e administratës së re të SHBA-s.