Tashmë që prej më se 2 shekujsh, më 25 janar studentët rusë kremtojnë Ditën e Tatjanës. Kjo ditë u bë një ndër festat më të dashura e më me popullaritet për rininë. Ajo solidarizon e bashkon të gjitha vajzat — studente me emrin Tatjana dhe mbarë studentët. Ndodhi kështu, që pikërisht në Ditën e Tatjanës, më 25 janar të vitit 1755 -së, Perandorja Elizabeta e Parë nënshkroi dekretin “ Mbi themelimin e Universitetit të Moskës ”. Që nga ajo kohë Shën Tatjana quhet si mbrojtëse e të gjithë studentëve, kurse Dita e Tatjanës u shndërrua në festë studentore me traditat dhe ritualet e veta përkatëse. Më parë, në këtë ditë, në mëngjes zhvillohej një lutje e shkurtër e studentëve dhe pedagogëve në kishën e Oshënares Shën Tatjana pranë Universitetit. Më pas organizohej mbledhja solemne me fjalime dhe dorëzime dekoratash. Rektori i Universitetit i gostiste pas kësaj studentët me të ashtuquajturën medovuhë — një lloj pije kjo me gradë të ulët alkooli e bërë nga mjalti. Ndërsa mbas këtij rituali studentët shpërndaheshin nëpër taverna e mejhane për të vazhduar festimin. Me që ra fjala, në këtë ditë ruajtësit e rendit të lagjes bile edhe studentët fort të dehur nuk i ngacmonin, bënin sikur nuk i vinin re duke mbyllur njërin sy ndaj çapkënllëqeve të tyre. Ndërsa kur i ndeshnin fare afër fillimisht i nderonin dhe më pas i pyesnin: “Në se ka nevojë për ndihmë zoti student? ”. “Dhe, në përgjithësi, midis studentëve ekziston një bestytni e tillë: se sa më gazmore që të jetë mbrëmja në Ditën e Tatjanës, aq më mirë do ti japësh provimet në sezonin tjetër ”, thotë studentja e kursit të tretë të Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Moskës Daria Gavrillova. “ Siç dihet, thotë ajo, Dita e Tatjanës është festë e të gjithë studentëve. Mbaron sezoni i provimeve, fillojnë pushimet e dimrit dhe studentët, të cilët kanë vazhdimisht nevojë natë e ditë të mblidhen grupe — grupe për të kaluar kohën së bashku, gjë të cilën nuk mund ta bëjnë gjatë sezonit të mbingarkuar të provimeve, më në fund fitojnë për këtë lirinë e shumëpritur. Tek ne në Fakultetin e Gazetarisë zhvillohet mbrëmja studentore në të cilët, kryesisht, vijnë vetëm studentët e kursit të parë. Pra, ata vijnë në këtë mbrëmje për tu njohur me njëri — tjetrin, për tu argëtuar. Në të zhvillohen, ndër të tjera, edhe konkurse të ndryshme. Kur unë isha studente e kursit të parë fitova një udhëtim në Spanjë. Në mënyrë të shenjtë e nderojnë ditën e Shën Tatjanës jo vetëm studentët e Universitetit Shtetëror të Moskës, por edhe diplomantët. Ky është një rast i mrekullueshëm për tu takuar e për të diskutuar mbi atë se ç’rrugë ka marrë jeta “ prej të rrituri ” për çdonjërin nga ata pas përfundimit të universitetit,  thotë 23 vjeçarja Veronika Troshina, e cila vetëm gjysëm viti më parë mori diplomën e Fakultetit Filozofik të Universitetit Shtetëror të Moskës. Ne e kemi kremtuar çdo vit, duke filluar që nga kursi i parë, Ditën e Tatjanës. Në këtë ditë studentët e fakultetit tonë organizonin gjithmonë të ashtuquajturat kapustnjiki. Ato përfaqësojnë në vetvete festa të gëzueshme me shaka, këngë e kërcime. Në to ne ftonim edhe studentët e fakulteteve të tjera. Pas mbarimit të universitetit ne çdo vit lidhemi me telefon me shokët e kursit dhe merremi vesh në lidhje me atë se si do ta festojmë Ditën e Tatjanës. Dita e Tatjanës, që lindi brenda mureve të Universitetit Shtetëror të Moskës, u bë festë e përbashkët për të gjithë studentët e instituteve të larta të Rusisë. Kurse që nga viti 2005  25 janari u shpall zyrtarisht si Dita e studentëve rusë. Sepse kjo është festë e rinisë, gjithë atyre që ruajnë në shpirt zjarrin e krijimtarisë dhe etjen për dije.