Siç dihet, që nga janari i këtij viti Çekia është kryetare vepruese në Bashkimin Evropian. Lidhur  me këtë që para vitit të ri 2009 Praga përmendi disa prioritete të veprimtarisë së vet në këtë post, ndër to është vazhdimi i punës për përpilimin e Traktatit të ri të partneritetit dhe bashkëpunimit strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë. A mund të pritet që konflikti rreth gazit midis Moskës dhe Kievit do të shtyjë për një afat  të pacaktuar përpunimin e këtij dokumenti?Konflikti, për fat të mirë, përfundoi, por çfarë do të ndodhë më tej? Vasili Lihaçov, zëvendëskryetari i parë i Komitetit Ndërkombëtar në Këshillin e Federatës, u shpreh në lidhje me këtë çështje, se ngjarjet e fundit të vitit 2008 –dhe fillimit të vitit 2009 në sferën e sigurisë energjetike të Evropës vunë në plan të parë shumë detyra strategjike dhe taktike. Ndoshta, një prej mësimeve nga më të rëndësishmet të krizës në fjalë konsiston në atë se Rusia dhe vendet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe Çekinë si kryetare aktuale në të, kanë vepruar përherë në situatë të vështirë sipas vektorit të partneritetit. U bëhej kritikë palëve të konfliktit, por njëkohësisht kërkoheshin edhe rrugëzgjidhje të bashkërenditura. Sipas pikëpamjes sime, konkluzioni është i prerë. E gjithë çështja konsiston në atë, se përpilimi i marrëveshjes së re të partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit mes Rusisë dhe  Bashkimit Evropian jo vetëm që nuk duhet të frenohet, por përkundrazi,  është bërë akoma më aktual se më parë. Mendoj se kapitulli energjetik mund të bëhet një prej kapitujve kryesorë të marrëveshjes së re. Së dyti, më 20 janar “Gazprom” rifilloi furnizimet e gazit nga Rusia nëpër territorin ukrainas në drejtimin evropian. Ky pa dyshim është një lajm shumë i mirë, vazhdon senatori rus Vasili Lihaçov. Por vështirësitë e javëve të kaluara e bindën si Moskën, ashtu dhe Brukselin për domosdoshmërinë e ndërtimit të gazësjellësve  të rinj me itinerar për në Evropë. Vetë jeta dha argumente në dobi të realizimit, për shembull, të projektit “Rryma Veriore”. Kur në vitin 2011 ky projekt do të realizohet, gazi i Rusisë do të furnizohet në Gjermani dhe vendet fqinje, duke kaluar nëpër fundin e Detit Balltik. Në këtë mënyrë do të forcohet siguria energjetike e Evropës. Rusia si furnizuese e gazit, pa dyshim, është e interesuar për një prespektivë të tillë. Së treti, në të gjitha fazat e krizës rreth gazit, Rusia ka shpjeguar pandërprerë pozitën e vet, duke treguar një sinqeritet maksimal. Kjo u prit pozitivisht nga partnerët tanë evropianë, të cilët morën përgjigje për pyetje nga më të vështirat. Unë jam i sigurt, se një transparencë e tillë ndihmon për forcimin e mirëbesimit midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian. Ky gjithashtu është një prej mësimeve kryesore të javëve të kaluara të vështira, tha në përfundim të intervistës së vet, dhenë radiostacionit “ Zëri i Rusisë” Vasili Lihaçov, zëvendës kryetari i parë i Komitetit Ndërkombëtar në Këshillin e Federatës.