Ju ftojmë të njiheni me rubrikën tradicionale “Dialogje ballkanike” përgatitur nga vëzhguesi i radiostacionit “ Zëri i Rusisë ”, kandidati i shkencave historike Pjotër Iskenderov. Të mërkurën, shkruan ai, më 21 janar, në territorin e krahinës së Kosovës ia hynë punës për plotësimin e detyrave të veta “Forcat për Sigurimin e Kosovës”. Ato zëvëndësuan “Forcat për Mbrojtjen e Kosovës”, të cilat u krijuan në vitin 1999-të, dhe do të veprojnë nën kontrollin e Misionit të Bashkimit Evropian. Por shumë në krahinë dhe përtej kufijve të saj dyshojnë në atë, se veprimtaria e këtyre forcave, të përgatitura e të instruktuara nga NATO, do t’i shërbejë normalizimit të situatës. Sepse vetë liderët e Kosovës i quajnë “Forcat” si ushtri të shtetit të pavarur separatist. Por edhe liderët e shqiptarëve në shtete të tjera ballkanike nuk janë aspak kundër përsëritjes së skenarit kosovar. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç tashmë deklaroi se vendi i tij “ nuk është dakort me krijimin e “Forcave të Sigurimit të Kosovës” dhe se nuk do ta pranojë kurrë një vendim të tillë”. Sipas fjalëve të liderit serb, “e vetmja mënyrë për garantimin e sigurisë së banorëve që jetojnë në Kosovë është çmilitarizimi  i saj ”. Kërkesa në fjalë është për më tepër e drejtë, sepse më parë Perëndimi i përfaqësuar nga BE dhe NATO, është shprehur më se një herë në favor të çarmatimit të formacioneve që veprojnë në “pika të tjera të nxehta” të Ballkanit – në veçanti, në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni. Por edhe në vetë Kosovë, pas vendosjes atje në qershor të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, janë zhvilluar më se një herë fushata për grumbullimin e armëve që ndodheshin në duart e popullsisë pikërisht nën pretekstin e garantimit të sigurisë së banorëve të saj. Del, pra, se “standartet e dyfishta” vazhdojnë të triumfojnë mbi interesat e rregullimit të situatës? Me këtë pyetje ne iu drejtuam njërit prej ekspertëve të njohur në lëmin e së drejtës ndërkombëtare, profesorit të Fakultetit  Juridik të Universitetit të Shkupit, Svetomir Shkariç. “ Sipas mendimit tim, shprehet ai, vetëm Serbia dhe Rusia duan të mbrojnë aktualisht të drejtën publike ndërkombëtare në Ballkan. Të gjitha shtete e tjera duan ta vënë përfund vetes atë. Ato dalin kundër asaj që shtetet e rajonit të merren vesh midis tyre, kundër vendimeve të marra nga institutet juridike ndërkombëtare, ato dëshirojnë që ta zëvendësojnë të drejtën me dhunën. Për shkak të kësaj ne tani ndodhemi në gjendje koosi. Ndërsa qëllim i kësaj politike është vendosja e rregullit të ri ndërkombëtar sipas shembullit të SHBA-s. Të gjitha ato që po ndodhin në rajonin e Ballkanit në këto dekadat e fundit janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me gjeopolitikën, me interesat e fuqive kryesore perëndimore. Gjeopolitika, dhe jo rregullimi i drejtë i problemeve ballkanike, mbetet edhe tani faktor kyç në marrëdhëniet e Perëndimit me vendet e rajonit, si dhe gjatë zgjidhjes së problemeve konkrete të lidhura, ndër të tjera, me statusin e Kosovës”. Liderët e Kosovës të përfaqësuar nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Tashim Thaçi kanë deklaruar më se një herë mbi atë, se pavarësia e Kosovës është garancia më e mirë e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në krahinë, por edhe në mbarë rajonin ballkanik. Ndërkohë bile edhe në vetë Kosovë autoritetet me vështirësi gjithnjë e më të madhe po arrijnë të kontrollojnë struktura të tilla ekstremiste si “Ushtria Kombëtare Shqiptare” dhe Lëvizja  “ Vetëvendosje”në krye me liderin radikal të shqiptarëve vendas Albin Kurti. E ç’mund të flitet më këtu pastaj për rajonet e tjera ballkanike. A është i aftë vallë BE të përballojë rrezikun kërcënues të rindarjes së kufijve të Ballkanit, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta politiko — ushtarake dhe etnike që ekzistojnë midis grupimeve të ekstremistëve shqiptarë, të cilat veprojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Shqipëri? “ Komuniteti evropian, thotë Svetomir Shkariç, nuk është model i paqeruajtjes. Bile edhe në qoftë se ai do të dëshirojë të jetë projekt paqebërës, ai nuk mund të bëhet i tillë, meqenëse një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të BE janë gjithashtu edhe anëtarë të NATO-s. NATO paraqet për Evropën një problem shumë më serioz se sa problemet e vetë Ballkanit. BE nuk është rrugëzgjidhje shpëtuese për Ballkanin edhe për vetë faktin se e ardhmja e tij është e papërcaktuar, e paqartë. Ai i duhet më tepër elitave politike drejtuese në vendet anëtare të BE dhe shtetet ballkanike. Përveç kësaj, është absurditet të pritet nga vendet e BE mirëkuptim i plotë, solidarësi midis anëtarëve të tij. Përsa i përket Shqipërisë dhe shteteve të tjera të ish Jugosllavisë, duhet thënë, se bile edhe në qoftë se ato do të pranohen në BE, do të kenë shumë më pak të drejta në krahasim me vendet anëtare të hershme të tij. Kështu që për popujt ballkanikë do të jetë më mirë të mos i mbajnë shpresat tek paqebërësia evropiane, por të forcojnë bashkëpunimin midis tyre dhe me Rusinë ”, shprehet me bindje të plotë Svetomir Shkariç.