Moska përshëndeti vendimin e Izraelit mbi ndalimin e njëanshëm të zjarrit në rripin e Gazës. Çdo hap në drejtim të armëpushimit duhet të përkrahet, mendojnë bashkëpunëtorët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Dhe ndonëse lufta u ndërpre, konflikti është ende larg rregullimit politik, shkruan vëzhguesi ynë Aleksandër Vatutin. Ndërkaq, pengesë për zgjidhjen e konfliktit mbetet lëvizja palestineze HAMAS. Në fakt, pikërisht për shkak të saj Izraeli ndërmorri veprime të tilla të vendosura ushtarake. Armëpushimi mes tyre që po vazhdonte prej gjysmë viti, ishte i lëkundshëm, i brishtë. Ekstremistët e lëvizjes HAMAS bombardonin periodikisht terrritorin e shtetit izraelit. Dhe në qoftë se askush nuk vë në dyshim të drejtën e Izraelit që të garantojë sigurimin e vet, metodat që ai zgjodhi për ndëshkimin e HAMAS-it dolën krejtësisht jo adekuate. Është tepër i madh numri i viktimave të popullsisë paqësore, gjë kjo që, sipas mendimit të Vladimir Ahmedovit, specialist - orientalist ky, po bëhet faktor që luan kundër Izraelit. “ Është e pakuptueshme se me kë po lufton Izraeli: me popullsinë paqësore, apo me terroristët. Prandaj vazhdimi i këtij operacioni në këtë rast është i pakuptimshëm. Qëllimet e tij u shpallën, por zor se mund të arrihen në përgjithësi me një rrugë të tillë. Tani në plan të parë del pikërisht rregullimi politik. Për këtë ekziston një bazë e caktuar. Kjo është rezoluta №1860 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me gjithë lëkundshmërinë dhe paqartësinë e saj, si dhe iniciativa egjiptiane, gjithashtu si bazë. Sepse pozitat e palëve ndërluftuese duhet të kenë një bazë të përbashkët. Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak, propozoi që të bëhet përsëri ndërmjetës mes grupimeve palestineze dhe Izraelit. Qëllimi i këtyre bisedimeve veç e veç është që të forcohet regjimi i ndalimit të zjarrit dhe të gjenden rrugët për heqjen e bllokadës ndaj rripit të Gazës dhe hapjen e vendkalimeve kufitare. Një etapë e rëndësishme në këtë rrugë mund të bëhet edhe konferenca në Moskë për Lindjen e Mesme. Ndaj kësaj tërhoqi vëmendjen këto ditë presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev. Natyrisht, që rendi i ditës i saj ka nevojë për korrektime në përputhje me detyrat e ditës së sotme.