Vëzhguesit ndërkombëtarë, që ndodhen në stacionet e matjes së gazit, po binden çdo ditë se pikërisht është Ukraina ajo që nën pretekste të trilluara po bllokon transitin e gazit të Rusisë nëpër territorin e vet për në Evropë. Në mënyrë që çështja, e cila po bën në vend numëro, të përparojë, Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin u propozoi firmave energjetike evropiane që të krijohet konsorciumi i përbashkët për blerjen e të ashtuquajturit gaz teknologjik, të domosdoshëm për transitin e gazit nëpër territorin ukrainas. “ Ne sot nuk duhet të kërkojmë fajtorët, ne sot duhet të sigurojmë transitin. Ne u propozojmë partnerëve tanë kryesorë evropianë që të marrin përsipër krahas me ne rreziqet e transitit, të organizojnë konsorcoiumin ndërkombëtar, i cili të mund të blejë nga “ Gazprom-i” vëllimin e duhur të gazit për partnerët tanë ukrainas dhe ta dërgojë  këtë vëllim menjëherë në Ukrainë për organizimin e transitit të gazit natyror të Rusisë për në Evropë. Dhe ne po ju bëjmë një propozim të tillë që të merrni pjesë në konsorcium, tha Kryeministri rus duke iu drejtuar Kreut të koncernit energjetik italian ENI Paolo Skaroni. Ky i fundit e quajti propozimin në fjalë një ide të mirë komerciale duke premtuar se do ta diskutojë atë menjëherë me udhëheqësit e firmave të tjera evropiane. Ka të ngjarë që kjo ide të shqyrtohet edhe në takimin e vendeve transitore dhe vendeve konsumatore të gazit të Rusisë që është caktuar për të shtunën në Moskë. Po për këtë ditë janë caktuar edhe negociatat e Kryeministrit të Rusisë dhe Kryeministres së Ukrainës. Ndërkohë, si përgjigje ndaj varianteve të ndryshme të palës ruse që propozohen për zgjidhjen e konfliktit rreth gazit, Kievi me këmbëngulje të denjë për një përdorim më të mirë, paraqet kushte të paplotësueshme për rifillimin e transitit. Ndër të tjera, pala ukrainase propozon që gazi teknologjik të mos i shitet asaj, siç është bërë zakon një gjë e tillë në mbarë botë, por t’i jepet atij pa shpërblim, pra, falas. Kështu që dashur pa dashur lind mendimi se Kievi zyrtar, në fakt, merret thjesht me shantazh elementar edhe ndaj Rusisë, edhe ndaj Evropës. Dhe qëllimi i tij është që të sigurojë preferenca politike për veten, të fusë sherrin e të krijojë mosmarrëveshje në marrëdhëniet mes Moskës dhe Brukselit përpara fillimit të bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjes së re të partneritetit strategjik. Dhe, siç mendojnë një sërë parlamentarësh dhe ekspertësh të Rusisë, udhëheqësit ukrainas zor se do të guxonin të silleshin në këtë mënyrë pa rezervuar fillimisht përkrahjen përkatëse dhe garancitë e duhura nga SHBA-s. Lidhur me këtë nuk mund të mos vihet re fakti i nënshkrimit në fund të dhjetorit i kartës së partneritetit mes Ukrainës dhe SHBA-s. Në të, ndër të tjera, flitet për dhënien e ndihmës nga ana e SHBA-s për shfrytëzimin e gazsjellësve të Ukrainës. Sot, në kundërshtim me marrëveshjen ekzistuese ndërkombëtare të Ukrainës mbi transitin e gazit të Rusisë për në Evropë, ky sistem është i orientuar në mënyrë të tillë që të dëmtojë sigurinë energjetike evropiane.