Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev në bisedën telefonike që zhvilloi me homologun e vet ukrainas Viktor Jushenko i bëri thirrje atij që të fillojë pa vonesë transitin e gazit për konsumatorët evropianë. Në emër të Konsorciumit Ndërkombëtar të vendeve evropiane ai propozoi dhënien Ukrainës të vëllimeve të gazit teknologjik, të domosdoshëm për garantimin e aftësisë funksionuese të sistemit të transportimit të gazit, dhe, rrjedhimisht, rifillimin e furnizimeve të gazit rus në Evropë. U propozua gjithashtu rishikimi i çështjes që ka të bëjë me mbështetjen e përkohshme të një sërë konsumatorëve evropianë me gaz nga depozitat nëntokësore ukrainase si kompensim të harxhimeve për furnizimet e gazit rus. Dimitri Medvediev e ftoi Viktor Jushenkon për të marrë pjesë në samitin për problemet e gazit që do të zhvillohet në Moskë. Samiti në fjalë do të zhvillohet më 17 janar, njoftoi sekretarja e shtypit e Presidentit rus Natalia Timakova. Nëpërmjet kanaleve diplomatike po u dërgohen ftesat për pjesëmarrje në të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve — konsumatore të gazit dhe shteteve, nëpër territoret e të cilave ai kalon transit. Me iniciativën e zhvillimit të samitit doli Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev në lidhje me krizën e gazit që shpërtheu rreth furnizimeve të gazit rus në Evropë nëpërmjet territorit të Ukrainës. Ndërkohë Kompania “ Naftogaz Ukraini ” për të tretën herë i refuzoi “ Gazprom-it ” fillimin e transitit të gazit rus për konsumatorët evropianë, thuhet në njoftimin e Holldingut rus të gazit. Ukraina e refuzon realizimin e transitit nën pretekstin e mungesës së marrëveshjes teknike mbi kushtet e dhënies e pranimit të gazit në stacionet pranëkufitare për vitin 2009. Por kjo nuk është aspak arsye për pezullimin e transitit gjatë ekzistencës së kontratës përkatëse me afat veprimi deri në vitin 2013, deklaruan në “ Gazprom ”. Konflikti i gazit midis Moskës dhe Kievit është rezultat i politikës që ndjekin një sërë liderësh evropianë, mendon Kryetari i Komitetit të Dumës Shtetërore të Federatës Ruse për politikën ekonomike Eugjeni Fjodorov. Një përgjegjësi e konsiderueshme për minimin nga Ukraina të furnizimeve të gazit në Evropë bie edhe mbi SHBA-s. Në intervistën e vet ekskluzive dhënë radiokompanisë “ Zëri i Rusisë ” parlamentari u shpreh se administrata amerikane në kohën e vet lejoi zhvillimin e “ Revolucionit portokalli ” në Ukrainë dhe tani Presidenti i saj Viktor Jushenko po realizon në jetë interesat e Departamentit Amerikan të Shtetit me qëllim që të mos ndodhë shkatërrimi, shembja e botës njëpolare dhe që të përfshihet në grindje e përçarje Evropa.