Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev ia hodhi Ukrainës gjithë përgjegjësinë për vështirësitë e krijuara në lidhje me transitin e gazit të Rusisë për në Evropë. Si rezultat i veprimeve të papërgjegjshme dhe të kundërligjshme të palës ukrainase një sërë konsumatorësh të gazit të Rusisë u ndodhën në një gjendje shumë të vështirë, tha sot ai në takimin me kreun e “Gazprom”-it  Aleksei Miler. Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev kërkoi që Ukraina të paguajë 1.1 mlrd.dollarë, të cilat “Gazprom” i humbi sipas kontratave të eksportit me Evropën për shkak të pamundësisë së realizimit të transitit. Në takimin me Presidentin kreu i “Gazprom”-it  Aleksei Miler njoftoi se pikërisht kjo shumë  i evidentohet koncernit si deficit që nga 1 janari. Sipas fjalëve të Medvedievit, specialistët dhe juristët duhet të llogarisin humbjet dhe të gjitha ti fiksojnë në protokoll. Miler njoftoi se koncerni ka marrë nga firma e Ukrainës “Naftogaz” projektmarrëveshjen për kushtet e realizimit të transitit të gazit të Rusisë nëpër territorin ukrainas. Në të paraqitet kushti që ti jepen asaj në pronësi, falas, 360 mln.metra kub gaz në janar, 600 mln. në shkurt dhe po kaq në mars. Na propozohet që ti dhurojmë “Naftogaz”-it 700 mln. dollarë vetëm për rifillimin e furnizimeve, vuri në dukje Miler. Njëkohësisht ai tha se të gjitha mundësitë, ndër të tjera edhe ato teknike, për rifillimin e transitit nëpër territorin ukraninas tashmë ekzistojnë. Presidenti e porositi kreun e “Gazprom”-it, që të mbetet në kontakt të vazhdueshëm me kolegët ukrainas dhe pjesëmarrësit e tjerë të proceseve të transportimit të gazit dhe të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e nevojshme për rifillimin sa më të shpejtë të transitit të gazit me kushte të pranueshme për Rusinë.