Ukraina bllokoi të gjitha veprimet e “Gazprom”-it për transitin e gazit në Evropë. Kjo bie ndesh me marrëveshjet, të cilat përmbahen në protokollin e nënshkruar nga Bashkimi Evropian, Rusia dhe Ukraina. Në përputhje me dokumentin në fjalë, sot në mëngjes koncerni i Rusisë “Gazprom” filloi realizimin e planit për rifillimin e furnizimeve të gazit për në Evropë nëpër territorin e Ukrainës. Por ja që më vonë ndodhi ajo, së cilës ia kishin frikën ekspertët. Në intervistën e vet, dhënë “Zërit të Rusisë”, një përfaqësues i “Gazprom”-it, i cili ndodhet në stacionin e matjes së gazit Suxha: “Në orën 11.45 minuta, sipas orës së Moskës, ne fiksuam se Ukraina nuk lejon gazin tonë që të hyjë në sistemin e saj të transportimit të gazit. Domethënë trysnia e atmosferës në anën ruse arrinte në 70. Kjo është një trysni normale pune, ndërsa shpenzimi i gazit të Ukrainës ishte baraz me zero. Kjo do të thotë, se pala ukrainase nuk e lejoi gazin tonë që të hynte në sistemin e saj”, theksoi përfaqësuesi i  “Gazprom”-it. Ajo se gazi i Rusisë nuk kalonte për në vendet evropiane, u vërtetua nga vëzhguesit e vet këtyre vendeve në stacionet e tyre të  matjes së gazit. Këtë fakt e shpalli përfaqësuesi zyrtar i Bashkimit Evropian në Bruksel. Valentin Zemljanski, sekretar i zyrës së shtypit të firmës ukrainase “Naftogaz”, shpjegoi bllokimin e furnizimeve të gazit të Rusisë për në Evropë me kushtet e papranueshme të  transitit, që u paraqitën nga “Gazprom”-i. Mirëpo ai nuk saktësoi se për se konkretisht bëhet fjalë. Veç kësaj, Kievi deklaroi se gazi i Rusisë nuk arrin tek konsumatorët evropianë për shkak se sistemi i transportimit të gazit të Ukrainës është i riorientuar për konsumin e brendshëm. Lidhur me këtë lind pyetja, pse atëherë Ukraina nënshkroi protokollin që parashikon rifillimin pa vonesë të transitit të gazit të Rusisë për në Evropë? Të krijohet një përshtypje e tillë, deklaroi sot gjatë konferencës për shtyp Aleksandër Medvediev, zëvendës kryetar i “Gazprom”-it, se Ukraina as që kishte ndërmend të zbatonte zotimet e veta sipas dokumentit të nënshkruar. Siç duket, ukrainasit as që kishin ndërmend të hapnin sistemin e tyre për tranzitin e gazit. Prandaj Aleksandër Medvediev shprehu mendimin se veprimet e Ukrainës dirigjohen nga një vend tjetër.