Topolanek — PutinVizitat e Kryetarit të qeverisë çeke Mirek Topolanek në Kiev, Moskë dhe sërish në Kiev me qëllim të çbllokimit të problemit të tranzitit të gazit nga Rusia nëpërmjet territorit të Ukrainës në drejtimin evropian, sollën rezultate pozitive. Kështu mendon Drejtori i Institutit të Ekonomisë në Moskë, anëtari — korrespondent i Akademisë së Shkencave të Rusisë Rusllan Grinberg. “ Më 1 janar, siç dihet, Çekia u bë kryetare në BE për 6 muaj ”, kujtoi ai. “ Prandaj aktivizimi i madh i Kryeministrit të Republikës Çeke , zoti Topolanek, është më se i justifikuar. Vërtet, Rusia që në fillim të vitit i pat propozuar me këmbëngulje Brukselit që të ingranohet në dialogun ruso — ukrainas, i cili u pezullua për një kohë të gjatë për shkak të pozitës jo konstruktive të Kievit. Por siç i thonë fjalës, më mirë vonë, se kurrë”. “Shpresoj shumë, tha ai, se konsumatorët evropianë të gazit rus do të marin frymë lirisht dhe do t’i kujtojnë si një ëndërr të keqe ngjarjet e ditëve të kaluara. Shpresoj gjithashtu, se vëzhguesit ndërkombëtarë do të arrijnë të sqarojnë, së pari, se në ç’mënyrë dhe përse Ukraina ka përvetësuar sipas qejfit të vet, apo më mirë të themi, ka vjedhur gazin rus që destinohej për vendet e BE? Dhe, së dyti, shpresoj, se ata do të gjejnë përgjigjen ndaj pyetjes plotësisht të ligjshme e të arsyeshme: “ se kush e mban, pra, përgjegjësinë për atë, se për shkak të pezullimit të furnizimeve të gazit tashmë të paguar nga Rusia po vuajnë banorët e shumë vendeve evropiane?”. Sepse ata jo vetëm që ndjejnë të ftohtin në shtëpitë dhe apartamentet e veta, por dhe u detyruan të mbyllin ndërmarrjet e tyre! Me që ra fjala, këto ditë kompania hungareze “ Emfas” ngriti padi në gjykatë kundër Ukrainës, për shkak të së cilës, sipas mendimit të drejtuesve të kësaj kompanie, u detyruan të pezullojnë prodhimin. Tani për tani nuk dihet se kush do të paguajë për humjet. Dhe kjo, duhet thënë, është vetëm padia e parë e kësaj natyre. Dhe vendimi i gjykatës do të ketë, pa dyshim, rëndësi me peshë të madhe. Përveç kësaj, dua të tërheq vemendjen ndaj rritjes së rëndësisë e domethënies së ndërtimit të rrugëve të reja magjistrale të transportimit të gazit nga Rusia për në Evropë. Pas ngjarjeve të fundit realizimi, në veçanti, i projektit “Rryma Veriore” po merr një rëndësi mjaft të madhe, shumë më aktuale se më parë. Ky gazsjellës, një pjesë e të cilit do të kalojë nëpër fundin e Detit Balltik, do të vihet në shfrytëzim në vitin 2011. Dhe unë jam mëse i bindur se gazsjellësi “Ryma Veriore” do t’i lejojë Rusisë ta transportojë produktin e vet strategjik në Evropë pa kurrëfarë problemesh për konsumatorët, ashtu siç dhe duhet të realizohet një gjë e tillë”, tha në intervistën e vet ekskluzive dhënë “Zërit të Rusisë” Drejtori i Institutit të Ekonomisë në Moskë, anëtari — korrespondent i Akademisë së Shkencave të Rusisë Rusllan Grinberg.