Sipas njoftimeve zyrtare, për shkak të acarimit të situatës në Lindjen e Mesme, administrata amerikane e shtyu nënshkrimin e kartës mbi partneritetin strategjik mes SHBA-s dhe Gjeorgjisë nga 4 për 9 janarin. Vetëm e shtyu. Ndërsa vetë vendimi mbi nënshkrimin e dokumentit mbeti i pandryshuar. I pandryshuar, siç mund të gjykohet nga të gjitha, mbeti në vitin e ri edhe kursi i NATO-s, ku SHBA-s, siç dihet, luajnë një rol kryesor, për zgjerimin e saj të mëtejshëm. Sepse pak kohë më parë karta analogjike u nënshkrua me Ukrainën. Qëllimeve që shtron përpara vetes sot ky bllok ushtarak, më i madhi në planetin tonë, i cili në prill do të kremtojë 60 vjetorin e vet, u kushtohen “ Shënimet në fund të javës ” të vëzhguesit tonë Oleg Severgin. Thelbi i dokumenteve të mësipërme, iniciativa e nënshkrimit të të cilave i përket Uashingtonit, nuk fshihet. Ky është kërkimi i rrugëve suplementare të afrimit të shpejtuar të Ukrainës dhe Gjeorgjisë me NATO-n. Mendimet e anëtarëve të Aleancës në lidhje me këta dy pretendentë për anëtarësim në të, siç u njoftua më parë, u ndanë. Por ekipi i Bushit, që po përgatitet të largohet nga Shtëpia e Bardhë, megjithatë do të donte që të zgjidhte qoftë edhe me ndonjë mjet tjetër çështjen e përshpejtimit të pranimit në NATO të këtyre dy vendeve të Evropës Lindore të cilat i mban nën tutelën e vet, në kundërshtim me vullnetin e shumicës së popullsisë së Ukrainës, në kundërshtim me falimentimin e hapur politik të regjimit në Tbilisi dhe në kundërshtim me qendrimin negativ të Moskës, që mbetet i pandryshuar. Në mesazhin e vet të fundit me rastin e Vitit të Ri, me të cilin doli si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Jaap de Hoop Sheffer, ai përmendi një për një sukseset e vitit që lamë pas. Në lidhje me to mund të diskutohet shumë. Por megjithatë nuk mund të mos konsiderohet si plus fakti se pas pushimit në marrëdhëniet me Rusinë, që u morr nga Brukseli pas ngjarjeve të gushtit në Kaukaz, këto marrëdhënie u arrit të rivendosen. Kihet parasysh, ndër të tjera, rivendosja e veprimtarisë së Këshillit Rusi — NATO. U bë edhe hapi i parë — u zhvillua takimi i Jaap de Hoop Sheffer-it dhe Dimitri Rogozinit, përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë pranë NATO-s. Mirëpo nuk mund të mos vihet re, se sipas atyre traktateve që aleati kryesor në NATO përfundoi me Ukrainën, ndërsa tani po përfundon edhe me Gjeorgjinë, Aleanca po vazhdon të avancojë po në atë drejtim për ku ka shkuar gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Dhe tani për tani nuk evidentohen kurrëfarë shenjash të asaj se vendet evropiane, të cilat megjithëse shkojnë pas qerres së partnerit të vjetër, do të ndryshojnë kursin e NATO-s. Aleanca jonë do të vazhdojë të zgjerohet edhe në të ardhmen, deklaroi prerë në mesazhin e vet mbajtur me restin e Vitit të Ri Jaap de Hoop Sheffer. Tashmë dy vende po përgatiten për anëtarësim në të, dhe, unë shpresoj, se së shpejti me to do të bashkohen edhe vende të tjera. Siç duket, kihen parasysh Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Në parim Moska nuk ushqen iluzione në lidhje me vazhdimin e kursit të NATO-s për zgjerimin e mëtejshëm. Sipas mendimit të Konstantin Kosaçovit, kryetar i Komitetit ndërkombëtar në Dumën Shtetërore të Rusisë, përpjekjet e drejtuara për atë që të pranohen me çdo kusht  Ukraina dhe Gjeorgjia sa më shpejt në Aleancë, siç duket nuk do të rreshtin as në vitin e sapofilluar, kur do të zhvillohet takimi jubilar i NATO-s. Kësaj mund t’i shtohet gjithashtu edhe mendimi i shkencëtarit dhe politologut rus Sergei Karaganov se zgjerimi i NATO-s në drejtim të Ukrainës, gjë në të cilën synon Uashingtoni dhe ekipi i mbledhur rreth presidentit të tanishëm ukrainas, i orientuar nga Uashingtoni, kërcënohet, sipas shprehjes së shkencëtarit, me një krizë politiko — ushtarake të klasit të parë. Kjo krizë, sipas fjalëve të Karaganovit, jo vetëm që do t’i bëjë ukrainasit, si të thuash, mish për top politik, por dhe do t’i shkaktojë një dëm të ndjeshëm edhe Evropës, edhe Rusisë, edhe stabilitetit ndërkombëtar në tërësi. Roli i NATO-s në botën e ndryshuar përsiatet edhe në gjirin e vetë Aleancës. Sot, kur NATO po i afrohet 60 vjetorit të vet, konkludon gazeta britanike “The Times”, është tamam koha e duhur që të krijohet një koncept i ri strategjik i Aleancës, i cili ta transformojë atë në një organ të fuqishëm politik. Sipas njoftimeve të shtypit, koncepti i ri strategjik duhet të paraqitet në takimin jubilar të NATO-s. Ky koncept me siguri do të përmbajë ndonjë strategji, vërtet, në se do të jetë e re vetë strategjia është një pikëpyetje e madhe.