Kriza e gazit në Evropë, që shpërtheu në ditët e para të vitit të ri, tregoi mjaft qartë edhe një herë se sa e brishtë është siguria energjetike e kontinentit tonë. Mjaftoi shprehja e vullnetit kryeneç e kokëfortë nga ana e një vendi tranzitor, në rastin konkret Ukrainës, për të vepruar sipas qejfit të vet duke mbyllur rubinetat e gazsjellësve nëpërmjet të cilëve gazi nga Rusia furnizohet në Evropë, që të vihen nën rrezik kërcënues konsumatorët që nga Sllovakia e deri në Francë, nga Bullgaria deri në Itali. Mund të thuhet se në orët e acarta të mëngjesit u rrënqeth nga i ftohti e gjithë Evropa… Po ashtu si dhe 3 vite më parë, gjatë periudhës së krizës së parë të gazit që shpërtheu për faj të Kievit, Ukraina edhe kësaj here u përpoq ta hedhë fajin, si i thonë fjalës, nga koka e sëmurë mbi kokën e shëndoshë, sikur, gjoja, për gjithshka janë fajtore Rusia dhe “ Gazprom-i”. Por Moska nxorri mësimet e duhura nga ngjarjet e një të kaluareje 3 vjeçare. Ajo ka tani mundësinë që të referohet tek kontrata ekzistuese e tranzitit të gazit, e cila vepron deri në vitin 2010 dhe nuk është e lidhur në kurrëfarë mënyre me problematikën dypalëshe të gazit. Moska me gojën e nënkryeministrit të parë Viktor Zubkov paralajmëroi me kohë Komisionin Evropian dhe gjithë partnerët evropianë se nuk përjashton mundësinë e shkeljes së kontratës së tranzitit për faj të Kievit. Kështu dhe ndodhi në të vërtetë. Me qëllim që të ushtronte presion mbi Moskën në negociatat për përcaktimin e çmimeve të gazit, Kievi mbylli rubinetat e gazsjellësve tranzitë duke shkelur brutalisht me këtë gjest jo vetëm kontratën, por edhe Kartën Energjetike Evropiane  tashmë të ratifikuar prej tij. Pas kësaj “ Gazprom” u detyrua të pezullojë dhënien e gazit në tubacionet e tranzitit për arsyen e thjeshtë, se ai vidhej paturpësisht nga ana e palës ukrainase.  Duke mbështetur propozimin e Çekisë, vendit kryetar aktual në BE, Rusia me gojën e Presidentit të vet Dimitri Medvediev propozoi krijimin e mekanizmit të kontrollit për vëzhgimin e ecurisë së tranzitit të gazit me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Moskës, Kievit dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Rusia është e gatshme të dikutojë pa vonesë problemin e acaruar të gazit në çfarëdolloj platformash që nga Moska e deri në Bruksel, duke përfshirë edhe nivelin më të lartë. 3 vjet më parë rreth krizës së gazit filloi një fushatë spekulative propagandistike e gjerë kundër Rusisë dhe “ Gazprom-it ”, të cilat, gjoja “ mbyllën rubinetin e gazit me qëllim ushtrimi presioni politik ”. Kurse tani nuk ka më vend për spekullime. Pikërisht Kievi, i cili trumbetoi në të gjitha udhëkryqet “ identitetin e vet evropian”, dhe duhet të demonstrojë me vepra konkrete se është vërtet i preokupuar për sigurinë energjetike evropiane.