Sot në Bruksel po mbahet mbledhja urgjente e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për çështjen e transportimit tranzit të gazit të Rusisë nëpër territorin e Ukrainës. “Gazprom”-i më 1 janar, lidhur me mbarimin e afatit të kontratës,  i ndërpreu furnizimet e gazit Ukrainës. Njëkohësisht Rusia vazhdoi ti furnizojë gazin në vëllim të plotë Evropës. Mirëpo Ukraina, siç e ka bërë tashmë zakon një gjë të tillë, përsëri vazhdoi të përvetësojë gazin që nuk parashikohet për të. Vetëm për datën 3 janar, konsumatorët evropianë kanë marrë 50 mln. metra kub gaz më pak. Lidhur me këtë  “Gazprom” i dërgoi një leter Komisionit Evropian me propozimin për sigurimin e monitorimit të pavarur të vëllimeve të gazit që kalojnë tranzit nëpër territorin e Ukrainës. Njëkohësisht po përgatitet padia për tu paraqitur në Gjykatën e Arbitrazhit në Stokholm lidhur me veprimet e paligjshme të Ukrainës. Ndërkaq Aleksei Miler, kreu i “Gazprom”-it, i shpalli Ukrainës çmimin e ri të gazit. “Le të shpresojmë se propozimi mbi furnizimin e gazit në Ukrainë me çmimin 450 $, i cili është çmimi i gazit për vendet e Evropës Lindore, të cilat ndodhen ngjitur me Ukrainën, minus shpenzimet e transportimit tranzit nëpër territorin e saj, do ta kthejnë në një kohë të afërt “Naftgaz”-in në tryezën e bisedimeve”, thotë Aleksei Miler. Skandali i lidhur me transportimin tranzit të gazit të Rusisë nëpër territorin e Ukrainës, i cili plasi si zakonisht në vigjilje të Vitit të Ri, vërtetoi edhe një herë domosdoshmërinë e krijimit të rrugëve alternative të transportimit të gazit në Evropë. Aleksandër Medvediev, zëvendësi i kreut të “Gazprom”-it, tha se po bëhet e qartë se diversifikimi i itinerareve të transportimit tranzit është domosdoshmëri, dhe jo thjesht një urim i mirë. Sepse përveç rreziqeve të transportit tranzit, ekziston për shkaqe politike edhe rreziku i avarive teknike, edhe ai i akteve terroriste. Sa më i gjerë të jetë rrjeti i furnizimeve, aq më i sigurt do të jetë sistemi i furnizimeve. Prandaj projekte të tilla si “Rryma Veriore” dhe “Rryma Jugore” i duhen Evropës, bile edhe në qoftë se  për shkak të krizës ekonomike kërkesa për lëndën djegëse do të jetë më e ulët nga ç’pritej. Por, sidoqoftë, Evropës i duhet gazi, sepse kjo është lënda djegëse më e pastër ekologjike. Në qoftë se ne flasim seriozisht për ruajtjen e kushteve klimatike, për minimizimin e hedhjes së gazit karbonik në atmosferë, pa gazin natyror ky problem nuk zgjidhet dot. Me një pozitë të tillë bashkohet edhe udhëheqja e koncenit energjetik gjerman “Rurgaz”, e cila mendon se situata e krijuar konfirmon edhe një herë rëndësinë e ndërtimit të gazësjellësit alternativ “Rryma Veriore”, i cili do të kalojë me anashkalim të territorit ukrainas.