Kriza financiare botërore mbart në vetvete jo vetëm probleme, por dhe mundësi të reja. Një mendim i tillë mund të dëgjohet gjithnjë e më shpesh ndër politikanët dhe biznesmenët, prej veprimeve të të cilëve në shumë gjera do të varet zhvillimi i ekonomisë botërore. Po ata paralajmërojnë, se pikërisht viti i ardhshëm do të jetë më i rëndi, më i vështiri për gjithë shtetet, por po ai dhe do të bëhet vit me rëndësi kthese rrënjësore. Drejtori administrator i korporatës financiare “Открытие” ( “Zbulimi”) Shani Kogan mendon se mundësi të reja do të lindin për ata që kanë financa të qenësishme në duar. Këto kompani do të kenë mundësi të forcojnë pozitat e veta në treg. Dhe megjithatë gjëja më e rëndësishme në këtë moment nuk janë bile as paratë. Mua më duket, thotë ai, se më të rëndësishme janë cilësi të tilla si kreativiteti dhe vendosmëria. Duke zotëruar veti të kësaj natyre ndërmarrja apo sipërmarrësit mund të zbulojnë për vete mundësi shumë të mëdha vetërealizimi bile dhe në periudhën e kësaj krize. Statistikisht, në qoftë se ne do të analizojmë përvojën botërore, do të arrijmë në konkluzionin se gjithmonë paratë më të mëdha janë fituar gjatë kohërave të krizave. Duhet përcaktuar drejtë strategjia dhe të investohen paratë në degët më efektive. Në kushtet e krizës mekanizmat tradicionalë të tregut, tregu i aksioneve dhe obligacioneve (letrave me vlerë) janë investime të këqia, mendon kreu administrativ i strategjisë investuese të bankës VTB Ivan Ivançenko. Aktive jo të këqia janë paratë e investuara në ato gjëra që kanë vlerë reale si, p.sh., ari, drithërat, tregjet e lëndëve të para, energjetika. Kërkesë për prodhime të tilla do të ketë gjithmonë pavarësisht nga kriza. Efektiviteti i biznesit varet edhe nga veprimet e qeverisë së çdo vendi. Sigurisht që mund ti jepet ndihmë financiare kompanive të veçanta, por shumë më efektive do të ishte ulja e tatimeve dhe harxhimi me mend i parave që ato zotërojnë, vazhdon Ivan Ivançenko. P.sh., në Rusi paratë e grumbulluara nëpër fondet, që luajnë rolin e njëfarëlloj jastëku sigurimi në raste krizash dhe tronditjesh të tjera, presupozohet të shfrytëzohen për përmirësimin e qenësishëm të infrastrukturës në vend. Grykë e ngushtë e ekonomisë së Rusisë ka qenë pamjaftueshmëria e zhvillimit të infrastrukturës. Ndërsa gjatë rënies aktuale të vazhdueshme të çmimeve të çelikut dhe prodhimeve të tjera mund të rindërtohet dhe të modernizohet kjo infrastrukurë me shumë më pak shpenzime se ç’mund të bëhej një gjë e tillë vitin e kaluar apo në fillim të këtij viti. Përveç kësaj, kjo gjë mund të ndihmojë për të hapur vende suplementare të reja pune. Në këtë mënyrë mund të zgjidhen njëherazi dy detyra, thotë Ivan Ivançenko. Dy vitet e afërta do të jenë veçanërisht të rëndë për gjithë ekonominë  botërore. Dhe ai që do të zgjedhë drejt dhe në mënyrë të menduar mirë strategjinë, që do të përcaktojë degët prioritare dhe drejtimin e duhur të financimit, do ta kapërcejë këtë krizë pa humbje serioze. Ndërsa mundësinë e zgjedhjes së vet e ka çdo njeri, shprehet Ivan Ivançenko.