Nënshkrimi të mërkurën, më 24 dhjetor, në Moskë i marrëveshjeve  për bashkëpunimin në sferën e naftës dhe gazit midis Rusisë dhe Serbisë në prezencë të presidentëve Dimitri Medvediev dhe Boris Tadiç  u bë një ndër ngjarjet qendrore të vitit në përfundim në fushën e zhvillimit të marrëdhënieve të Moskës me shtetet e rajonit të Ballkanit.  Ai konfirmoi besnikërinë e Rusisë ndaj bashkëpunimit me vendet  ballkanike, i cili bazohet mbi leverdinë reciproke dhe bashkëveprimin afatgjatë në sferat me rëndësi strategjike. Situatën e analizon në komentin e vet vëzhguesi i radiostacionit “ Zëri i Rusisë ” Pjotër Iskenderov. Marrëveshja ruso — serbe, shkruan ai, duhet parë nën prizmin e pikëpamjes së ingranimit të Ballkanit në sistemin e garantimit të sigurisë energjetike të Evropës. Rusia synon t’i tërheqë aktivisht shtetet e rajonit në krijimin e rrjetit të integruar të transportit të lëndëve energjetike të detit Kaspik për konsumatorët evropianë. Në qoftë se këto plane do të gjejnë realizim në jetë, atëhere që aty nga vitet 2012 — 2013 vendet ballkanike do të shndërrohen në lojtare kyçe në sferën energjetike mbarëevropiane. Ndërsa kjo do tu sjellë atyre jo vetëm leverdi të qenësishme financiare – sepse vetëm Serbia do të marrë 200 milionë $ nga pagesat për tranzitin – por dhe do të lejojë që ato të zënë një pozitë më të rreptë e më të vendosur në negociatat me BE. Nuk është sekret për askënd se Brukseli ndjek me preokupim ecurinë e bisedimeve të Rusisë me vendet ballkanike në lidhje me problemin e transportimit dhe shfrytëzimit të burimeve energjetike të Kaspikut. Kjo ka të bëjë jo vetëm me gazësjellësin “Rryma Jugore”, por edhe me projektin e transportimit të naftës nëpërmjet itinerarit Burgas - Aleksandrupolis si dhe me daljen e mundur të kompanive ruse në tregjet energjetike të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera. Një nga shkaqet e kësaj konsiston në atë se BE lobon projektin alternative të “ Rrymës Jugore” – “Nabbuko” për transportimin e gazit me anashkalim të territorit të Rusisë, megjithëse për nga efektiviteti i vet ekonomik dhe rreziqet politike ai, duket fare qartë, se nuk e superon dot variantin rus. Problemi kryesor konsiston në atë, se BE nuk ka ndërmend të lëshojë nga duart e veta vendet e ish Jugosllavisë dhe prandaj siguria e tyre energjetike, e arritur mbi bazë të bashkëpunimit me Rusinë, nuk hyn aspak në planet e Brukselit. Duke marrë parasysh presionin që ushtrohet nga BE ndaj vendeve ballkanike dhe elitat e tyre drejtuese, nuk habitesh aspak nga ajo se përse kanë një fat kaq të vështirë marrëveshjet ruso - serbe. Kundër tyre, gjatë gjithë këtyre muajve të fundit, kanë vepruar forca të konsiderueshme – që nga lobi properëndimor në radhët e qeverisë së Serbisë e deri tek BE dhe kompanitë transnacionale. Dhe kjo e bën akoma edhe më të rëndësishëm nënshkrimin e dokumentave ruso — serbe, shprehet Kryetari i Këshillit Ekonomik të Partisë Demokratike të Serbisë, deputeti i Skupshtinës serbe, Nenad Popoviç. Për Serbinë, tha ai, marrëveshja me Rusinë ka një karakter historik. Me këtë ajo siguron të ardhmen e saj të ndritur ekonomike, garancinë energjetike për shumë e shumë vite me radhë. Shteti serb e lidhi ekonominë e vet me furnizuesen më të madhe të naftës dhe gazit në botë –  Rusinë, “Gazprom-in”, “ Gazprom - neft-in”. Dhe unë jam mëse i bindur se brezi i ardhshëm do të ndjejë leverditë ekonomike që rrjedhin prej kësaj. Por edhe për nga pikëpamja gjeopolitike Serbia bëri një hap plotësisht të drejtë. Falë nënshkrimit të dokumentave, Moska dhe Beogradi do ti shërbejnë bashkarisht garantimit të sigurisë energjetike të Evropës, u shpreh me bindje Nenad Popoviç. Ia vlen të vihet në dukje edhe një rrethanë tjetër. Rrëmuja e tanishme rreth çmimeve të naftës dhe gazit, kriza në BE, paqartësia në kursin e politikës së jashtme të administratës së re të SHBA-s, paralajmërojnë se lufta ndaj aspekteve të ndryshme të sigurisë mbarëevropiane do të bëhet akoma dhe më e ashpër. Jo krejt rastësisht kreu i MPJ-së i Serbisë Vuk Jeremiç deklaroi të mërkurën, se vendi i tij mbështet iniciativat e Rusisë përkatësisht sigurisë evropiane. “ Unë mendoj, tha ai, se propozimi i Dimitri Medvedievit mund të japë rezultate mjaft të frytshme në vitet e ardhshme”. Kurse kjo do të thotë se bashkëpunimit ruso — serb i hapen perspektiva të reja mbarëevropiane.