Sot Rusia dhe Serbia nënshkruan një paketë marrëveshjesh për bashkëpunimin në sferën e naftës dhe gazit. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Kremlin në praninë e presidentëve të të dy shteteve, përkatësisht, Dimitri Medvediev dhe Boris Tadiç. Dokumentet e nënshkruara do të thonë realizim i marrëveshjes ndërqeveritare mes Rusisë dhe Serbisë të datës 25 janar të vitit 2008, që krijoi kushtet për ingranimin e Serbisë në realizimin e projektit të sistemit të gazësjellësve “Rryma Jugore”. Gazi fillimisht do të vijë nga Rusia nëpër fundin e Detit të Zi në Bullgari, ndërsa pastaj nëpër territoret e Greqisë dhe të Serbisë në Itali dhe Austri. Në përputhje me këtë marrëveshje “Gazprom”, krahas me sektorin e gazësjellësit që do të kalojë nëpër territorin serb, do të ndërtojë dhe një depo të nëndheshme për ruajtjen e gazit. Ndërsa firma simotër “Gazprom nefti” do të blejë 51% të aksioneve të ndërmarrjes serbe “Industria e naftës e Serbisë”. Sipas vlerësimit të ekspertëve serbë, çmimi i përbashkët i marrëveshjes përbën afro 2 mlrd. euro. Ky është projekti i huaj i investimeve, nga më të mëdhenjtë, në historinë e Serbisë së sotme. Konstandin Simonov, drejtor i përgjithshëm i Fondit të sigurisë kombëtare energjitike, u shpreh në lidhje me këtë se në ç’mënyrë mund të dilet nga rrethi vicioz i akuzave të përhershme që ngrihen kundër Rusisë. “Unë mendoj, tha ai, se mund të dilet nga ai vetëm me anë të një rruge, dhe pikërisht, në qoftë se Rusia do të shtojë vëllimet e investimeve në industrinë evropiane, ndërsa Evropa si kundërpërgjigje do të rrisë vëllimin e investimeve në segmentin e nxjerrjes së gazit të Rusisë. Dhe atëherë, natyrisht, kjo do të thotë se ne nuk mund të shkurtojmë atëherë për arsye politike furnizimet e burimeve energjitike, sepse kjo do të jetë e paleverdishme për ne. Përveç kësaj, në qoftë se  firmat evropiane do të investojnë aktivisht kapitalin e vet në nxjerrjen e gazit në territorin tonë, kjo do të thotë se ato do të jenë më të sigurta përkatësisht asaj, se ç’vëllim gaz do të vijë nga Rusia. Gjëja e dytë, shumë e rëndësishme, konsiston në atë se një pjesë e paketës së marrëveshjeve është zotimi për ndërtimin e gazësjellësit “Rryma Jugore”. Ky projekt ka rëndësi si për Rusinë, ashtu dhe për Evropën". Meqë ra fjala, Beogradi gjithashtu e quan marrëveshjen e nënshkruar me Rusinë shumë të rëndësishme në planin strategjik. Pjesëmarrja e Serbisë në projektin e madh energjitik do të rrisë në mënyrë të qenësishme rejtingun ekonomik të vendit dhe karakterin e tij tërheqës për investitorët e huaj. Ndërsa “Gazprom” do të fitojë, si të thuash, edhe një kryeurë të fuqishme dhe partnerë të sigurt në biznesin e vet në Ballkan.