Sot, kur prodhuesit e Rusisë janë të detyruar që të shkurtojnë prodhimin, është krejtësisht e palejueshme që mjetet shtetërore të shpenzohen për blerjen e makinave të importuara, deklaroi kryeministri i Rusisë Vladimir Putin gjatë vizitës që bëri në Bashkimin më të madh në Rusi që merret me prodhimin e kamionëve “ Kamaz”. Masat që po ndërmerren destinohen të ndryshojnë situatën e krijuar me importin në dobi të prodhuesit kombëtar. Ndër të tjera, që nga janari i vitit 2009, Rusia do të rrisë taksat doganore të importit të automobilave të huaj, duke përfshirë edhe veturat dhe kamionët. Ky hap parashikohet të mbrojë prodhuesit e Rusisë dhe firmat e huaja, të cilat realizojnë montimin e makinave të veta në ndërmarrjet në Rusi. Industria botërore e prodhimit të automobilave po tronditet nga kriza financiare globale. Vëllimet e shitjeve të firmave kryesore automobilistike po reduktohen në mënyrë të qenësishme, magazinat janë të mbushura plot e përplot me makinat e pashitura akoma. Rusia që nuk është e lidhur me zotimet në kuadrin e Organizatës Botërore të Tregtisë synon të ndalojë hyrjen rrëke të makinave të prodhimit të huaj në vend. Dhe kjo masë aprovohet nga firmat kombëtare, nga më të mëdhatë. Por në rajone të veçanta të vendit, ndër të tjera, në Lindjen e Largme, lindi pakënaqësia nga ky hap i qeverisë. Pakënaqësia u shpreh nga ata që blejnë makina të prodhimit të huaj që kanë qenë në përdorim. Në të njëjtën kohë, në një të ardhme të largët, sipas mendimit të ekspertëve, pikërisht në Lindjen e Largme duhet të hapen ndërmarrjet për montimin industrial të makinave, mendon Igor Korovkin, drejtor i Bashkimit të ndërmarrjeve të automobilave të Rusisë. I gjithë tregu, thotë ai, përqendrohet në pjesën evropiane të Rusisë, në viset që ndodhen në zonën paramalore të Uralit. Ndërsa në të gjithë hapësirën federale të Lindjes së Largme parku i automobilave numëron 1 milion e 500 mijë. Por atje hyjnë përafërsisht çdo vit nga 250 mijë makina. Kjo është krejtësisht e paleverdisshme. Ndërsa organizimi atje i montimit industrial është me leverdi shumë të madhe. Për sa i përket rritjes së taksave doganore, kjo është një masë absolutisht e drejtë dhe bile pak e vonuar, shprehet Igor Korovkin. E gjithë bota, kur zhvillonte industrinë e vet të automobilave, pat vendosur taksa shumë të larta importi, të cilat, p.sh., në Brazil përbënin 70%. Kjo i detyroi firmat kryesore botërore që të organizonin prodhimin e vet në këtë vend. Prandaj detyra konsiston në atë që të aktivizohen e të inkurajohen investitorët për të derdhur shuma mjaft të mëdha të hollash në prodhimin e madh, theksoi Igor Korovkin. Por projekte të tilla do të fillojnë të realizohen pas përfundimit të krizës.