Të mërkurën në sesionin e vet të mbajtur në Algjeri Organizata e vendeve - prodhuese të naftës (OPEK) vendosi të shkurtojë që nga 1 janari i vitit të ri të pritshëm nxjerrjen e naftës në më shume se 2 milionë fuçi në 24 orë. Në perspektivë kjo masë duhet të çojë në stabilizimin e tregut botëror të naftës dhe në vendosjen e një çmimi të arsyeshëm, të drejtë të “ arit të zi”. Rusia, e cila nuk është anëtare e kartelit, e mbështeti vendimin e marrë, meqenëse strategjikisht ajo përkon me interesat e saj. Synimi i OPEK-ut për të krijuar në tregun e naftës një gjendje më të qendrueshme ndeshet me shumë faktorë, të cilët nuk varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga karteli. Ai mund të realizohet në jetë vetëm me veprimet solidare të të gjithë prodhuesve të naftës. Në këto kushte për Rusinë është e rëndësishme që të ruajë rolin e lojtares së pavarur në tregun e naftës, megjithëse mundësia e hyrjes së saj në kartel ekziston në perspektivë. Sipas fjalëve të nënkryeministrit rus Igor Seçin, i cili përfaqësoi Rusinë në sesionin e OPEK-ut në Algjeri, aktualisht fjalë bëhet për forma të tilla bashkëpunimi si vëzhgimi dhe puna e përbashkët në platformat e bursave, krijimi i bankës botërore të naftës. Ide të tilla priten pozitivisht në qarqet ruse të sferës së naftës. Në intervistën dhënë r/s “ Zëri i Rusisë ” drejtori i Fondit të Sigurisë Energjetike Kombëtare Konstantin Simonov shprehu mendimin mbi krijimin e një bashkimi të ri të vendeve naftënxjerrëse. Për Rusinë, tha ai, do të ishte një rrugë e drejtë që të dilte me konceptin për krijimin e një strukture principialisht të re, e cila të bashkonte prodhuesit kryesorë të naftës dhe vendet që zotërojnë rezervat më të mëdha të “ arit të zi ”. Sepse tani ne vërejmë se në OPEK nuk hyn jo vetëm Rusia. Në radhët e tij nuk figurojnë as Holanda, as Kazakistani dhe as shumë vende të tjera që zotërojnë një potencial mjaft serioz lëndësh hidrokarbure dhe që janë prodhuese tepër potente të naftës. Prandaj duhet një strukturë krejtësisht e re, — vuri në dukje Konstantin Simonov. Por kjo është çështje perspektive, ndërsa në situatën e tanishme për të gjitha vendet naftënxjerrëse është e rëndësishme që të koordinojnë politikën e tyre. Meqenëse interesat e tyre strategjike përkojnë: çmimi i arsyeshëm, i drejtë i naftës, stabilizimi i tregut, dhe, si përfundim, mbrojtja e interesave kombëtare.