Uashingtoni tashmë humbi disa shanse për forcimin e marrëdhënieve me Moskën, mirëpo mundësi të caktuara megjithatë për këtë ekzistojnë. Një mendim i tillë u shpreh nga ministri amerikan i mbrojtjes Robert Gejts në intervistën dhënë firmës televizive PBS. Viktor Jenikejev, vëzhguesi i radiokompanisë " Zëri i Rusisë " në komentin e vet u shpreh se nuk është e vështirë që të vëresh se e ardhmja e marrëdhënieve Rusi-SHBA-s kohët e fundit po diskutohet intensivisht në Uashington. Këtë javë Presidenti i sapozgjedhur Barak Obama deklaroi para korrespondentit të revistës “Time”se këto marrëdhënie do të jenë një prej prioriteteve të politikës së tij të jashtme. Pothuajse njëkohësisht me Gejtsin Presidenti Xhorxh Bush, që po largohet nga posti i vet, ka folur gjithashtu për marrëdhëniet me Rusinë, gjoja duke i dhënë udhëzime të zotit të ri të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë. Duke marrë fjalën në institutin amerikan të sipërmarrjes, ai vuri në dukje se SHBA-ës dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta, por në marrëdhëniet dypalëshe do të kenë gjithashtu edhe shumë vështirësi. Një vëmendje e tillë e përqëndruar e Uashingtonit ndaj dialogut të ardhshëm Rusi-SHBA përgënjeshtron mendimin e atyre, që vetëm dje thonin se ai do të ndodhet diku nga fundi i listës së veprimtarisë së administratës të Barak Obamës. Është karakteristike për nga kjo pikëpamje intervista e Ministrit të Mbrojtjes Robert Gejts, të cilit iu propozua që të mbetet në këtë post, sepse ai u shpreh për vendosjen e marrëdhënieve plotësisht të vlefshme me Rusinë. Dhe shefi i Pentagonit ka shprehur fjalë krejtësisht të papritura dhe shumë të ndershme. Ai pranoi se Perëndimi përfitoi nga dobësia e Rusisë kur ajo përjetonte vështirësitë socoal - ekonomike dhe, në fakt, i imponoi asaj Traktatin e Adaptuar të Forcave të Armatosura Konvencionale në Evropë. Bile më tepër se kaq, Gejts pranoi mendimin e Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin që e quajti këtë Traktat “kolonial” për Moskën. Ndonëse këto fjalë të sinqerta u shprehën me vonesë, ato do të ndihmojnë shumëkënd që të kuptojë drejtësinë e Rusisë, e cila u detyrua të shpallë moratoriumin e përkohshëm ndaj respektimit të Traktatit në fjalë, derisa SHBA-s dhe aleatët e tyre ta ratifikojnë atë. Do të ishte mirë që Uashingtoni të pranonte po kaq ndershmërisht edhe pozitën e argumentuar të Rusisë, sipas së cilës planet e SHBA-ve për vendosjen e bazave të sistemit global të mbrojtjes antiraket në Poloni dhe Çeki paraqesin rrezik për sigurimin e saj kombëtar. Administrata e Presidentit Bush la shumë shanse pa shfrytëzuar në lidhje me këtë drejtim, dhe prandaj, si të thuash, dritarja e mundësive për barazimin dhe ngritjen e tyre në një nivel më të lartë mbetet e hapur gjerësisht. Moska, siç kanë deklaruar më se një herë Presidenti i Rusisë Dimitri Medvjediev dhe kryeministri Vladimir Putin, është e gatshme për të përfituar nga ato dhe për të ndërtuar marrëdhënie të barabarta, me leverdi reciproke dhe të ndershme me SHBA-të. Kështu që le të presim zëvendësimin e të zotit të Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit 2009.