Koncerni i Rusisë “Gazprom” u bëri të ditur kolegëve evropianë rreziqet e mundshme të lidhura me tranzitin e gazit nëpërmjet territorit të Ukrainës. Njëkohësisht koncerni i siguroi ata se do të zbatojë në vëllim të plotë zotimet e veta për furnizimet e gazit në Evropë. Thelbi i problemit konsiston në atë se Ukraina nuk po kthen borxhin për vëllimet e furnizuara të gazit asaj për periudhën nëntor — dhjetor. Shuma e përgjithshme e borxhit përbën afro 2 mlrd. $. Në qoftë se ai nuk do të kthehet, atëherë më 1 janar të vitit 2009 koncerni do të ndërpresë furnizimet e gazit në Ukrainë. Për këtë deklaroi në një konferencë për shtyp në Moskë, përfaqësuesi i “Gazprom-it " Sergej Kuprianov. Ai u shpreh se asnjë skemë të kthimit të borxhit dhe rrugëdalje nga kjo krizë kolegët tanë ukrasinas, ndryshe nga ne, nuk propozojnë. Prandaj problemi vetëm u acarua, meqense është krejtësisht e qartë se ne nuk mund të kalojmë tek kontratat e reja, dmth., kontratat e drejtpërdrejta të furnizimit të gazit pa ndërmjetës, siç ngulmon në këtë pala ukrainase, duke lënë jashtë kuadrit të bisedimeve çështjen e borxhit prej 2 mlrd.$. Lidhur me këtë gjithë përgjegjësinë për paprekshmërinë e gazit të Rusisë gjatë transportimit të tij për në Evropë nëpërmjet territorit të Ukrainës, do të mbajë në vëllim të plotë kjo e fundit. Në kushte po të tilla  analogjike në vitin 2006 autoritetet ukrainase përvetësuan në mënyrë të paligjshme gazin nga gazësjellësi i eksportit. Dhe Rusia nuk do të donte që të përsëritej edhe një herë kjo histori. Në kryeqytetet evropiane, të cilat u vizituan nga një grup përfaqësuesish të koncernit "Gazprom", ekziston në tërësi kuptimi i pozitës së  “Gazprom”-it. Për sa u përket konsumatorëve evropianë, ata kanë marrë garancitë e realizimit të furnizimeve stabile të gazit si për vitin e ardhshëm, ashtu dhe për të ardhmen e largët. Holldingu, siç deklaroi Aleksandër Medvediev, zëvendës kryetar i kryesisë së tij, gaz ka jo vetëm për plotësimin e kontratave gjatë periudhës deri në vitin 2035, por edhe për mbushjen e gazësjellësve të rinj me itinerar Rusi - Evropë, të cilët kihet ndërmend të vihen në shfrytezim, edhe për furnizimet në vende të tjera. Vëllimet e gazit që do të furnizohen me ndihmën e gazësjellësve “Rryma Veriore” dhe “Rryma Jugore”, të cilët do të kalojnë përkatësisht nëpër fundin e Detit Balltik dhe nëpër fundin e Detit të Zi, janë futur në balancën e gjigantit të gazit. Janë në plan ndërtimi i sistemeve të reja të gazësjellësve magjistralë si dhe vënia në shfrytëzim e uzinave për lëngëzimin e gazit me qëllim të shitjes së tij në vendet e Azisë Juglindore dhe SHBA-s. Koncerni i Rusisë ka ndërmend  të konfirmojë me punë reale emrin e vet prej furnizuesi të sigurt të gazit në tregjet botërore.