Çdo vit më 15 dhjetor të afërmit, miqtë dhe kolegët nderojnë kujtimin e gazetarëve të Rusisë, që ranë në krye të detyrës. Në Shtëpinë Qendrore të Gazetarëve u ndezen qirinj përpara portreteve të atyre që ranë duke plotësuar ndershmërisht dhe me vetëmohim detyrën e vet profesionale, duke mos pasur frikë të shprehnin të vërtetën. Për fat të keq, gazetaria vazhdon të jetë një nga profesionet nga më të rrezikshme në ditët tona. Për dekadën e kaluar vetëm  në konfliktet ushtarake dhe në kohë paqeje humbën jetën 230 nga kolegët tanë. Ndër ta është edhe Viktor Nogin, ish-bashkëpunëtor i “Zërit të Rusisë”. Në lidhje me të kujton kolegia e tij Ludmilla Mosina.Tani Viktor Nogin do të kishte mbushur 60 vjeçë, por fati vendosi ndryshe. A mund ta mendonte ai se do të bëhej ndonjëherë korrespondent ushtarak? Sigurisht që jo. Dhe aq më tepër nuk mund të mendonte kurrsesi se do të vritej në Kroaci, një vend, të cilin e adhuronte pa masë. Viktor Nogin mbaroi universitetin në Zagreb. Dhe prandaj nuk është për tu habitur aspak nga fakti se ai ëndërronte të kthehej në Jugosllavi, që tu tregonte bashkëatdhetarëve të vet për këtë vend të mrekullueshëm. Më në fund ëndrra e tij u realizua. Por vetë Jugosllavia ishte asaj kohe në prag të shpërbërjes. Atëherë atje po zhvilloheshin në mënyrë mjaft intensive veprimet ushtarake mes Serbisë dhe Kroacisë. Reportazhet e Viktor Noginit dhe të kolegut të tij, operatorit Genadi Kurennoi, u ngjanin buletineve ushtarake, ishin operative dhe aktuale. Ndoshta, vetëm rinia, plus temperamenti dhe dëshira për tu treguar njerëzve të vërtetën për ngjarjet e atëhershme në Jugosllavi, i bënë ata që të ndodheshin në vende nga më të rrezikshmet. Doli se data 1 shtator e vitit 1991 ishte e fundit në jetën e Viktor Noginit dhe Genadi Kurennoit. Ata u nisën nga kryeqyteti i Jugosllavisë së atëhershme - Beograd për në Kroaci, ku ranë në pritë dhe u vranë nga guerilasit. Që atëherë u bënë disa hetime nga vetë gazetarët. Versionet ishin të shumta, por se çfarë ndodhi në të vërtetë, ka mbetur e pa sqaruar deri tani. Viktor Nogini mbeti në kujtesën tonë si gazetar i talentuar, mik i mirë, njeri që e donte popullin e shumëvuajtur të Jugosllavisë, me të cilin ishin të lidhura ëndrrat dhe shpresat e tij, dhe ku u vra. Viktor Nogin, si dhe gazetarët e tjerë, u vra gjatë kryerjes së detyrës së vet ndershmërisht dhe pa patos të panevojshëm. Ne mund të bëjmë edhe pa këtë, thjesht, le të kujtojmë dhe të nderojmë shokun tonë.