Laureati i Çmimit “ Nobel”, shkrimtari Aleksandër Sollzhenjicin që kur ishte ende gjallë u njoh si klasik i letrësisë ruse dhe asaj botërore. Siç mendon doktorja e shkencave filologjike Ludmilla Saraskina, autorja e librit me titull “ Aleksandër Sollzhenjicin: biografia vazhdon ”, mund të flitet mbi fenomenin e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm në letërsi dhe në jetë. Në vitin 1962 revista ruse “ Novij Mir ” (“ Bota e re ”) publikoi novelën “ Një ditë e Ivan Denisoviçit ”. Autori atëhere ishte 44 vjeç. Një eksperiment më të pastër se ky letërsia nuk ka njohur ende deri më sot e kësaj dite, sepse autori ishte i panjohur, një farë mister Iks. Në Moskë atë nuk e kishte parë askush, ai ishte enigmë, thotë Ludmilla Saraskina. Por kur u botua teksti i tij, novela e tij, atëherë vetë Fjala ia hapi rrugën vetes drejt zemrave të miliona dëgjuesve në Rusi dhe në botë. Në këtë novelë nuk figurojnë skena të tmerrshme dhune ndaj të burgosurve të Gulagut, në të thjesht është përshkruar një ditë e zakonshme e jetës së të burgosurit të thjeshtë politik Ivan Denisoviç Shuhov. Por për lexuesit ishte gjithshka mëse e qartë: ai ishte një njeri i mirë. Dhe të gjithë filloi t’i mundonte pyetja: po përse atëhere njeriu i mirë ndodhet i ngujuar në burg? Ndoshta ai nuk do të ketë mundësi kurrë më që të shohë të afërmit e vet! Novela e Aleksandër Sollzhenjicin-it u perceptua si një vendim dënimi me vdekje për regjimin totalitar stalinist dhe si vepër shumë e fortë për nga pikëpamja artistike. Veprimtaria krijuese në kampin e bugimit e Aleksandër Sollzhenjicin-it, e cila filloi që nga viti 1946, proza dhe poezia, të gjitha këto krijoheshin në mënyrë verbale, fiksoheshin përmendësh në memorie, tregon Ljudmilla Saraskina. Solzhenjicin nuk mund të mbante shënime me shkrim, sepse kjo ishte tepër e rrezikshme: mund të vinin gardianët, të ushtronin kontroll, të ti merrnin shënimet dhe të të ridënonin me një afat tjetër suplementar burgimi. Shumë kilometra, duke u shprehur në mënyrë figurative këtu, të poezive dhe prozës së vet autori i ruante në kujtesë. Dhe arriti t’i hedhë në letër ato vetëm pas burgut, gjatë kohës së internimit në Kazakistanin e Veriut. Ai atje për herë të parë pas shumë e shumë vitesh mundi të mbetej në vetmi me veten, në izbushkën ( kasollen) e tij. Dhe pas mësimdhënies së lëndës së matematikës në shkollën vendase, ai shkruante në fletore gjithshka që ruante në kujtesë. Ky, sigurisht, ishte një heroizëm letrar ng ana e tij, një fenomen i paparë. Kurse fenomeni i jetës së Aleksandër Sollzhenjicinit konsistonte në atë, se ai zbuloi për vete formulën: “ Ta jetosh jetën pa gënjeshtër ”. Dhe iu përmbajt rreptësisht kësaj formule gjatë gjithë rrethanave të jetës! Kush tjetër përveç atij mund ta bënte një gjë të tillë? Unë nuk e di. Mendoj, se përmasat e plota të personalitetit të këtij shkrimtari dhe filozofi  do të bëhen më të kuptueshme me kalimin e viteve edhe tek ne në Rusi, edhe jashtë shtetit. Trashëgimia e tij studjohet në shumë vende të botës duke përfshirë Çekinë, Poloninë, SHBA-s Francën, Italinë, Izraelin, Suedinë e kështu me radhë … Mendoj se zbulimet kryesore janë ende përpara, u shpreh doktorja e shkencave filologjike Ludmilla Saraskina, autorja e librit me titull “ Aleksandër Sollzhenjicin: biografia vazhdon ”.