Komisioni Evropian shfaq preokupimin e vet në lidhje me rreziqet e reja që mund të krijohen për tranzitin e gazit. Komisari evropian për energjitikën Andris Pijeballgs i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes që ka të bëjë me pagesat për gazin. Nëpunësit e selisë së Bashkimit Evropian nuk dyshojnë në stabilitetin e furnizimeve të gazit nga Rusia. Megjithatë ata tërheqin vemendjen ndaj domosdoshmërisë së marrjes së masave paraprake të cilat të minimizojnë apo të parandalojnë, në përgjithësi, rreziqet e mundura. Lidhur me këtë atje kujtohet se një rast analogjik me borxhet e Ukrainës për gazin e furnizuar nga Rusia, që ndodhi në janar të vitit 2006, vuri nën rrezik furnizimin ritmik të vendeve të Evropës me gaz. Atëhere Ukraina fiiloi të përvetësonte në mënyrë të pasanksionuar gazin e Rusisë nga gazësjellësi tranzit me itinerar Rusi - Evropë. Sot situata në shumë gjëra po përsëritet megjithatë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ukrainës. Kryetari i kryesisë së koncernit “ Gazprom ” Aleksej Miler u shpreh se bisedimet me Ukrainën për çështjen e kthimit të borxhit po zhvillohen në një atmosferë aspak të thjeshtë. Çështja e borxhit vazhdon të mbetet e hapur po ashtu si dhe ajo e nënshkrimit të kontratës së furnizimeve të gazit për vitin 2009. Aktualisht mund të thuhet vetëm ajo se këtë të premte bisedimet do të vazhdojnë. Sipas gjendjes për fillimin e dhjetorit shuma e borxhit të Ukrainës për gazin e furnizuar vlerësohej në 2,4 miliardë $. Aty nga fundi i vitit në përputhje me tarifat e reja dhe kamatat, ky borxh do të përbëjë më se 3 miliardë $. Firma  ukrainase “ Naftogaz ” nuk garanton se Ukraina do të mund të kthejë borxhin brenda afatit të përcaktuar. Dhe njëkohësisht Ukraina referohet tek vështirësitë ekonomike të cilat çuan në rënien e prodhimit në degët kyçe, dobësimin e kursit të valutës kombëtare ukrainase dhe rënien e aftësisë së saj blerëse. Ndërkaq, “ Gazprom ” kujton se koncerni nuk është organizatë bamirësie, por organizatë ekonomike dhe nuk mund t’i lejojë vetes që të zhvillojë veprimtarinë e saj në dëm të interesave të veta, domethënë, të realizojë edhe në të ardhmen furnizimet e gazit Ukrainës, të cilat nuk paguhen. Herët a vonë koncerni i Rusisë do të jetë i detyruar që t’ia ndalojë furnizimet e gazit Ukrainës. Njëkohësisht me këtë përvijohet edhe perspektiva e asaj se Ukraina do të fillojë të përvetësojë në mënyrë të paligjshme gazin nga gazësjellësi tranzit, gjë kjo, që rrjedhimisht, do të vërë nën rrezik sigurimin e Evropës me burime energjetike. Ndërsa për nga kjo pikëpamje borxhi i Ukrainës për gazin e furnizuar nga Rusia del jashtë caqeve të marrëdhënieve dypalëshe. Dhe Brukseli, siç mund të gjykohet nga të gjitha, e kupton për mrekulli këtë.