Afro 50 mijë veta erdhën këto ditë pranë Tempullit të Krishtit Shpëtimtar, katedrales kryesore të vendit, ku është vendosur për homazhe arkivoli me trupin pa jetë të Kreut të ortodoksosë ruse, Aleksit të II-të, për ti lënë lamtumirën e fundit Patriarkut të vet, siç e quan shumëkush atë. Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse ndërroi jetë më 5 dhjetor në selinë e tij në rrethinat e Moskës. Ceremonia e varrimit të Aleksit të II-të do të zhvillohet nesër, më 9 dhjetor. Tek shumëkush lajmi për vdekjen e Patriarkut shkaktoi një dhimbje të thellë. Pranë tempullit janë vendosur krizantema dhe trëndafilla të kuq e të bardhë, që janë ngjyrat simbolike për ortodoksët. Elena, një grua e re ortodokse tha në intervistën dhënë radifirmës sonë, “ se vdekja e tij është një hidhërim jashtëzakonisht i madh për të gjithë ne, për gjithë besimtarët ”. Prandaj ajo e quan si obligimin e vet personal dhënien e lamtumirës së fundit  Patriarkut Aleksi. “ Unë falem dhe do të lutem për prehjen e shpirtit të tij. Dua ta falenderoj atë për gjithshka që ka bërë në emër të të gjithëve ne, në emër të gjithë besimtarëve ”. Një burrë që u prezantua me emrin Aleksandër erdhi në Moskë nga Vollgogradi menjëherë sapo mësoi për vdekjen e Aleksit të II-të. “ Vdekja e Patriarkut është tragjedi e madhe për ne të gjithë. Ai ka qenë bari i mirë shpirtëror për ne dhe vdekja e tij na dha një goditje të fortë. Kur dëgjova lajmin për vdekjen e Patriarkut ndjeva një hidhërim jashtëzakonisht të thellë. Prandaj erdha ti lë lamtumirën e fundit këtij Njeriu të Madh ”, u shpreh ai. “ Tani, në kohërat e vështira për ne të gjithë, ne duhet të ruajmë porositë që na la amenet Aleksi i II-të, të cilat ai i predikonte dhe i vinte në jetë ”, thotë i sigurt mëkëmbësi i përkohshëm i fronit të Patriarkut, mitropoliti i Smolenskut dhe Kaliningradit Kirill. “ Patriarku, tha ai, ka qenë simbol i unitetit tonë. Nuk është aspak diçka e rastit se gjatë shërbesës së parë të përshpirtjes , kur trupi i pajetë i jerarkut prehet në katedrën e tij të bekimit në Tempullin e Krishtit Shpëtimtar, Zoti na bën këtë thirrje me fjalët e apostullit, që ne të gjithë të mbajmë në mendje fjalët e flakta të apostullit për ruajtjen e unitetit të Kishës sonë të shenjtë, për ruajtjen e unitetit të gjithë ortodoksisë ”. Këto ditë në të gjithë tempujt ortodoksë të Rusisë po kryhen shërbesa përshpirtjeje. Në katedralen “ Bogojevlenski”, ku nesër do të varroset Jerarku i Parë i Kishës Ortodokse Ruse, po vihen qirinj, po bëhen lutje, po zhvillohet përgatitja për ceremoninë funerale.  Është për të vënë në dukje se për prehjen e shpirtit të të ndjerit Aleksi i II-të po luten jo vetëm ortodoksët, por edhe katolikët, myslimanët, judaistët. Kryeravini i Rusisë Berl Llazar sot në mëngjes kreu një liturgji përshpirtjeje në sinagogën e qendrës së komunës hebraike në Moskë gjatë së cilës u bëri thirrje besimtarëve që të luten për prehjen e shpirtit të kreut të Kishës Ortodokse Ruse. “ Tani Patriarku Aleksi nuk është më midis nesh, por ai u la njerëzve kauzën e vet – kauzën e mbrojtjes së besimit, të jetës së pasur shpirtërore, paqes mes gjithë qytetarëve të Rusisë. Ne duhet ta ruajmë  kauzën e tij dhe të shkojmë më tej nëpër këtë rrugë. Ky do të jetë plotësim i detyrës morale ndaj patriarkut Aleksi. Le të prehet në paqe shpirti i tij ! ”, tha kryeravini i Rusisë.