“ Rruga e Aleksandër Sollzhenjicinit në kontekstin e Kohës së Madhe”. Me qëllim që të këmbejnë përsiatjet në lidhje me këtë temë në Moskë, në konferencën ndërkombëtare u mblodhën më 5 - 6 dhjetor studjuesit e veprimtarisë së shkrimtarit të shquar rus, laureatit të çmimit “ Nobel ” të 12 vendeve. Forumi iu kushtua 90 vjetorit të ditëlindjes së Sollzhenjicinit. Prozator, historian, filozof - publicist, por Aleksandër Sollzhenjicin ka qenë para së gjithash lider shpirtëror i kombit. Dhe në këtë rol atë e përcaktoi jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe fati personal, që i solli atij përballimin me sprova nga më të rëndat, — kampet staliniane, sëmundjen vdekjeprurëse, përndjekjet në epokën e totalitarizmit dhe dëbimin nga Atdheu. Të gjitha këto sprova shkrimtari i përballoi burrërisht, me një dinjitet të jashtëzakonshëm, vë në dukje Vladimir Lukin, ombudsmen i Rusisë. “ Sollzhenjicini na tregoi ne se çfarë mund të bëjë një njeri dhe sa i fortë dhe i fuqishëm mund të jetë njeriu. Ai sfidoi vetë fatin. Dhe ne të gjithë të mahnitur vumë re se në qoftë se njeriu përfshihet në vorbulën e rrymës së forcave metafizike të historisë, ndërsa më saktë, gjendet në anën e Perëndisë, ai mund të veprojë kështu dhe të dalë fitimtar në kundërshtim me të gjitha rrethanat. “ Në krijimtarinë e Aleksandër Sollzhenjicinit ekzistojnë dy tema, vazhdon më tej Vladimir Llukin, dy linja që e përshkojnë tërësisht atë dhe që përbëjnë lajtmotivin e jetës, mendimit dhe fatit të tij. Kjo është, së pari, Rusia — historia e saj, identiteti i saj, drama e saj. Dhe, së dyti, është forca morale, qendrueshmëria dhe dinjiteti i njeriut në të gjitha rrethanat, duke përfshirë edhe ato krejtësisht ekstremale, dhe siç mund të dukej, fare të pashpresa ”. Ndërsa Aleksandër Sokurov, një ndër regjizorët më të njohur kinematografikë rusë, e vëren pozitën prej lideri shpirtëror të Sollzhenjicinit, para së gjithash, në atë përkrahje kolosale që ky njeri i madh diti ti japë mbarë shoqërisë. “ Në vitet më të rënda të jetës duke u ndeshur aty – këtu me tradhëtinë dhe hipokrizinë, Sollzhenjicini megjithatë arriti t’i transmetojë popullit tonë, dhe jo vetëm atij rus, por gjithë popullit të vendit unikal të quajtur Bashkimi Sovjetik, energjinë e ndërgjegjes së kulturës. Sollzhenjicni e ka ndjerë si askush tjetër se ja pikërisht kjo energji humanitare i mungonte popullit. Shkrimtari vuri re se populli u lodh ”, u shpreh ai. Punën kolosale shpirtërore të shkrimtarit Aleksandër Sokurov e përfytyron në mënyrë metaforike si punën e “ rojtarit të pyllit i cili studjon, mbron dhe pastron territorin ”. “ Unë pikërisht kështu e përfytyroj Aleksandër Sollzhenjicinin si rojtar të pyjeve, dhe, ja, në këtë pyll ai diti të bënte shumë. Por ne nuk kemi depërtuar në të gjitha skajet e pyllit dhe shumë gjëra si kemi parë ende. Ndërsa kur të arrijmë në sektorët e tij më të skajshëm e më të thellë ne do ta kuptojmë se ai pat shkelur këtu sepse e kishte pastruar territorin nën drurët e rrëzuar, kishte hapur shtigje të reja, ndërsa në brigjet e liqenjve pyjore pat përforcuar urat dhe bile parmakët me qëllim që njeriu të zbresë pa frikë për tek uji i pastër. Dhe ja sa e freskët dhe më diell është bërë panorama përreth - vetëm drurë dhe zogj të zë syri ”. Në njërën prej intervistave të veta, që pat dhënë një vit para vdekjes, Aleksandër Sollzhenjicin tha: “ Në planin e brendshëm, përkatësisht gjendjes morale, ne jemi shumë larg nga ajo që do të dëshironim, nga ajo që na duhet në mënyrë organike. Zhvillimin e vështirë shpirtëror nuk mund ta realizosh më mjetet standarte të parlamentarizmit ”. Sot këto fjalë lexohen si testament që i është lënë jo vetëm popullit amëtar, por dhe mbarë njerëzimit.