Në Muzeun Peterburgas të Artit teatral dhe muzikor gjatë këtyre kohëve të fundit është rritur në mënyrë të ndjeshme numri i vizitorëve. Atje është hapur ekspozita “ Kthimi në Rusi. Koleksioni i Llobanovë — Rostovskëve ”. Koleksioni privat nga më të mëdhenjtë në botë i artit teatral — dekorativ rus, i cili përfshin periudhën e viteve 1870 — 1930, që këtej e tutje i përket Rusisë.  Koleksionin legjendar, që përbëhet nga pothuajse 3000 punë të realizuara prej 175 piktorëve rusë, e bleu Fondi Ndërkombëtar i Bamirësisë “ Konstantinovskij ”. Në atdhe u kthyen tabllotë e piktorëve Rerih, Serov, Maleviç, Vrubel, Kustodjev, Sudjejkin, Rodçenko, piktoreve Popova, Muhina e kështu me radhë . . . Rëndësia e këtij evenimenti është jashtëzakonisht e madhe, mendon drejtuesi i Fondit, i ngarkuari me drejtimin e punëve të presidentit të Federatës Ruse Vladimir Kozhin." Mendoj, se kjo është veçanërisht e rëndësishme pikërisht në kohën tonë, — thotë Vladimir Kozhin, — në sfondin e atyre ngjarjeve mjaft të ndërlikuara që po ndodhin tani në botë - edhe kataklizmave politike, edhe çrregullimeve financiare. Rusia po demonstron besim e siguri të qetë duke rikthyer pasurinë e vet kombëtare, krenarinë e saj sërish në shtëpi. Ish zotëruesi i koleksionit, knjazi (princi) Nikita Llobanov — Rostovskij, pasardhës i familjes së moçme aristokrate ruse që lindi në emigracion, pranoi me gojën e vet, se pat refuzuar shumë herë që ta shiste koleksionin kur ja ofronin një gjë të tillë. Ndërsa propozimin e parë që iu bë nga Rusia e pranoi menjëherë, pa ngutuar aspak. Koleksionisti i apasionuar i artit rus dhe mecenati Nikita Llobanov — Rostovskij tani është mëse i bindur se koleksioni i tij ndodhet në duar të sigurta dhe se atij nuk i kërcënohet rreziku i fatit të shitjes pjesë — pjesë. Kjo është, sipas mendimit të tij, veçanërisht e rëndësishme sepse ekzistojnë disa pasuri në përgjithësi unikale të pikturës teatrale ruse në kontekstin botëror, — konfirmon me bindje koleksionisti. " Rusia është i vetmi vend në botë ku në shekullin e XX-të piktorët e kavaletit merreshin edhe me pikturë teatrale. Një gjë e tillë nuk është evidentuar më në asnjë vend tjetër. Piktorët më me zë të asaj kohë u ingranuan në punën e teatrit, dhe, si rrjedhojë, rrymat kryesore të modernizmit gjetën pasqyrim në skenë. Mund të thuhet bile dhe se ato lindën në teatër ". Dhe në këtë kontekst, — është i bindur Nikita Llobanov — Rostovskij — koleksioni ynë përmban në vetvete gjithë historinë e modernizmit. Prandaj ai është i rëndësishëm jo vetëm për Rusisë, por edhe në arenën botërore. Vend i përhershëm ekspozimi për koleksionin e Nikita Llobanov — Rostovskit do të bëhet kompleksi “ Zvjozdnij putj ” (“ Rruga e yjeve ”), ndërtimi i të cilit është planifikuar të realizohet në fillim të vitit të ardhshëm pranë Pallatit Konstandinovskij në periferitë e Peterburgut — Strelnjë. Ndërsa tani për tani koleksioni, si i thonë fjalës, është “ mysafir ” i Teatrit të Artit teatral dhe muzikor.