Në Moskë po vijnë nga mbarë bota veprimtarë të autoritetshëm fetarë për ti dhënë lamtumirën e fundit Kreut të Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkut të Moskës dhe Gjithë Rusisë, Aleksi i II-të. Ndër ta janë: krerët e kishave otodokse ruse të jashtë shtetit. Bota katolike në ceremoninë e ndarjes me Patriarkun do të përfaqësohet nga kardinalët e Kishës Katolike Romake Rozhe Eçegaraj dhe Valter Kasper.Në nivel të lartë do të përfaqësohen edhe kishat protestante të Anglisë dhe Gjermanisë. Pak më vonë në kryeqytetin rus do të vijnë nga SHBA-s ravini i famshëm Artur Shnajer, kreu i Organizatës së kulturës islamike dhe mbajtjes së lidhjeve ajatolla Mohamad Ali Tashiri si dhe shumë veprimtarë të tjerë fetarë. Në këto ditë pikëllimi e hidhërimi të madh në të gjithë tempujt e Rusisë, dhe duhet thënë këtu jo vetëm ato ortodoksë, por edhe në xhamitë, sinagogat, famullitë do të zhvillohen shërbesa përshpirtjeje për Patriarkun. Dhjetra mijëra veta kanë ardhur në Tempullin e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, ku është vendosur arkivoli me trupin e pajetë të Kreu të Kishës Ortodokse Ruse. Vargu i gjatë i njerëzve që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Aleksit të II-të është i pranishëm atje natë e ditë. Ndër ta ka edhe ortodoksë, edhe katolikë, edhe myslimanë, edhe judaistë. Liturgjinë e përshpirtjes për Patriarkun e Moskës dhe Gjithë Rusisë Aleksit të II-të e zhvilloi në tempullin e Krishtit Shpëtimtar mitropoliti i Smolenskut dhe Kaliningradit Kirill, i cili u zgjodh në prag në postin e mëkëmbësit të përkohshëm të fronin të Patriarkut. Ndërkohë në Moskë po vazhdojnë të vijnë njerëz nga rajone të ndryshme të Rusisë për ti dhënë lamtumirën e fundit Patriarkut. Veronika 30 vjeçare, kur mori vesh për vdekjen e Aleksit të II-të, kërkoi disa ditë leje nga puna dhe erdhi nga Peterburgu në Moskë. Ajo akoma nuk arrin ta besojë dot atë që ndodhi. “ Deri sa të mos e shoh me sytë e mi - nuk do ta besoj. As që mund ta çoj nëpër mend se kjo është e vërtetë dhe se ne e humbëm Patriarkun tonë ”, — bëlbëzon me lot në sy gruaja e re. " E gjithë jeta e tij është një eveniment, një etapë e caktuar në historinë e Rusisë. Sepse ai ishte partiarku i parë, i cili në në periudhën bashkëkohore të hapur e të lirë kryesoi kishën tonë. Tani unë provoj një hidhërim  tejet të madh dhe shpresoj shumë se patriarku i ardhshëm, i cili do të vijë në këmbë të Aleksit, do të jetë po aq i denjë dhe do të vazhdojë të forcojë po ashtu si dhe ai Kishën Ortodokse Ruse. Edhe pranë rezidencës së patriarkut në Moskë vërehet gjithashtu një rrymë pambarim njerëzish. Të gjithë ata duke qendruar pranë kangjellave të godinës mbajnë në duar lule, bombone dhe fletë letre me fjalë përshpirtjeje.” Kjo është fatkeqësi, fatkeqësi shumë e madhe për të gjithë ne ”, — ndau me ne dhimbjen e vet moskoviti Denis Kuznjecov. "Nuk gjej dot fjalë për të shprehur tani atë që ndjej në shpirt, për të përfshirë gjithë epokën e Patriarkut të Mbishenjtë, ato 18 vjet që ai drejtoi Kishën Ortodokse Ruse. Gjatë kësaj kohe Kisha erdhi duke forcuar pozitat e veta, ajo provoi lulëzimin e vet, u ngritën tempuj, u ndërtuan manastire dhe të gjitha këto janë meritë e Patriarkut të Ndritur.Pavarësisht nga fakti se shëndeti i tij kohët e fundit u keqësua ai megjithatë gjente kohë për të qenë pranë popullit të vet, për të komunikuar me të, për tu falur për të. Vdekja e tij është një tragjedi e madhe për mua, për ne të gjithë, - shprehet me dhimbje Denisi.  Presidenti i Rusisë Dimitri Medvjedjev nënshkroi sot dekretin “ Mbi organizimin e aktiviteteve në lidhje me vdekjen e Patriarkut të Moskë dhe Gjithë Rusisë, Aleks -it të II-të ”. Në veçanti, kryetari i shtetit do ti propozojë institucioneve të kulturës dhe radiotelekompanive të anulojnë aktivitetet dhe programet argëtuese më 9 dhjetor, në ditën e varrimit të Patriarkut. Me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Ruse Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusisë Aleksi i II-të do të varroset në Katedralen Bogojavlenskaja në Moskë. Ky është amaneti i fundit i Aleksit të II-të të cilin nuk guxoi askush ta refuzojë. Dihet fort mirë se Patriarku sa ishte gjallë e donte jashtë mase këtë tempull. Sepse pikërisht në të ai pat kryer shumë vite më parë shërbimin e vet arhierik. Në këtë tempull në vitin 1990 u zhvillua ceremonia e infronimit të tij - hyrja në postin e Patriarkut.