Moska dhe Delhi kanë ndërmend ta ngrenë partneritetin strategjik në një nivel të ri dhe të vendosin një bashkërendim më të ngushtë në organizatat ndërkombëtare. Kjo temë ka qenë kryesore në bisedimet Rusi — Indi që u zhvilluan në kryeqytetin e Indisë mes Presidentit të Rusisë Dimitri Medvjedjev dhe Kryeministrit të Indisë Manmohan Singh. Çështja e bashkëpunimit më të ngushtë të dy shteteve në kuadrin e strukturave të autoritetshme ndërkombëtare lindi, ndër të tjera, lidhur me domosdoshmërinë e theksuar që tu bëhet ballë më efektivisht veprimeve të aktivizuara të organizatave ekstremiste. Një theks të veçantë u japin bisedimeve pasojat e ngjarjeve tragjike në Mumbaj. Korrespondentja jonë speciale në Delhi Elena Studnjeve njofton si vijon. Kjo ishte hera e parë që kryeqyteti i Indisë Nju Delhi priti liderin e Rusisë Dimitri Medvjedjev në cilësinë e tij të re, atë të kryetarit të shtetit. Autoritetet e këtij vendi kanë bërë çmos që vizita zyrtare të kalojë në një atmosferë sa më të përzemërt. Aeroplani presidencial u ul në bazën ajrore të vendit “ Palam ” të enjten dhe udhëheqësit e dy vendeve patën mundësi për tu shoqëruar në një atmosferë jo formale gjatë darkës. Ceremonia zyrtare e takimit të Dimitri Medvjedjevit dhe Manmohan Singhut u zhvillua në pallatin presidencial “ Rashtrapati Bhvan ”. Mysafiri i lartë vizitoi kompleksin përkujtimor të Mahatma Gandit, heroit kombëtar të luftës për çlirimin e Indisë. Moska përkrah Nju Delhin në arenën ndërkombëtare në lidhje me çështjet kyçe për të, dhe pikërisht, në synimin për tu bërë anëtare e përhershme e Këshillit të përtëritur të Sigurimit të OKB-së në rast zgjerimi të tij. Në bisedimet e së enjtes palët diskutuan çështjet e bashkëpunimit edhe në formatin e organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe situatën në Pakistan dhe Afganistan. Një vemendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit tekniko — ushtarak të dy vendeve. Për sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, fjalë bëhet për faqe të reja të bashkëpunimit në sferën kozmike dhe në shfrytëzimin e energjisë nukleare për qëllime paqësore, ndër të tjera, për ndërtimin me pjesëmarrjen e Rusisë të 4 reaktorëve të rinj bërthamorë për centralin atomik “ Kudankulam ”. Ekspertët parashikojnë zhvillimin e bashkëpunimit investues në fushën e industrisë dhe infrastrukturës, zbatimin e teknologjive të përparuara të Rusisë në ekonominë e Indisë dhe shfrytëzimin e përbashkët të pasurive natyrore të lëndëve të para, ndër të tjera, naftës dhe gazit, dhe jo vetëm mbi bazën e marrëveshjeve dypalëshe, por edhe në territoret e vendeve të tjera. Në tërësi, kjo e ngre partneritetin strategjik të dy vendeve të autoritetshme të botës në një nivel të ri.