Presidenti i Rusisë Dimitri Medvjedjev dhe kryeministri rus Vladimir Putin shprehën ngushëllimet e veta të thella lidhur me vdekjen e Patriarkut të Moskë dhe Gjithë Rusisë Aleksit të II-të. Medvjedjev e quajti vdekjen e tij një hidhërim kolosal për gjithë vendin. “ Patriarku ishte personalitet i shquar fetar, lider i vërtetë dhe pastor shpirtëror, i cili deri sa ishte gjallë ka shërbyer si shembull i qendresës shpirtërore dhe sjelljes së lartë morale njerëzore”, u shpreh presidenti rus. Ndërsa në një telegram ngushëllimi të udhëheqësit të vendit tonë thuhet se Aleksi i II-të bënte thirrje për respektin reciprok, tolerancën dhe mirëbesimin mes njerëzve të feve dhe traditave të ndryshme. Ai ka qenë iniciator i dialogut midis kishave dhe popujve, ka luajtur një rol të shquar në rivendosjen e unitetit të Kishës Otodokse Ruse, që u arrit vjet. Lidhur me vdekjen e Patriarkut Presidenti Dimitri Medvjedjev anuloi vizitën e vet në Itali të planifikuar për 6 dhjetorin. Ngushëllimet e veta lidhur me ngjarjen e trishtueshme i shprehu edhe kryeministri i Rusisë Vladimir Putin. Vdekja e Patriarkut të Moskës dhe Gjithë Rusisë Aleksit të II-të është një humbje e pazëvendësueshme dhe dhimbje jashtëzakonisht e madhe për të gjithë ortodoksit, për gjithë të krishterët, për mbarë shoqërinë e Rusisë. Hierarku i Ortodoksisë u nda nga ne sot, më 5 dhjetor, në moshën 79 vjeçare në selinë e vet në lokalitetin “ Peredjellkino ”. Ai e ka kryesuar Kishën Ortodokse për 18 vjet me radhë dhe pati fatin ta drejtonte atë në një kohë të veçantë, mendon Peshkopi i Jegorskut Mark. “ Patriarku i mbishenjtë Aleksi e udhëhoqi anijen kishtare ruse në një kohë kur kisha filloi të rikthehej në jetën e shoqërisë. Ne po vërejmë se si po rindërtohen tempujt, manastiret. Por më kryesorja është ajo se kisha u rikthye në shtëpitë, dhe më kryesorja, në shpirtin e shumë e shumë banorëve të Rusisë, e jo vetëm të Rusisë. Shërbimi i Aleksit të II-të u kurorëzua nga ribashkimi i Kishës Ortodokse Ruse dhe asaj Ruse të Jashtë Shtetit. Dy kishat e Ortodoksisë ruse kanë qenë të përçara që prej mëse 90 vjetësh. Gjatë disa dekadash Patriarku Aleksi ka punuar në mënyrë mjaft këmbëngulëse për rivendosjen e dialogut mes kishave. Bashkimi i kishave u realizua në shumë gjëra në saje të urtësisë, në saje të durimit, dhe, siç më duket mua, bile përuljes së Patriarkut të Shenjtë Aleksi, i cili është përpjekur me urtësi dhe konsekuencë të mblidhte besimtarët rreth vetes, rreth Atit të Shenjtë. Përshtypjet e shumë njerëzve për Patriarkun mund të përmblidhen në një fjalë të vetme – Atë. Një herë, në njerën prej intervistave të veta Hierarku i Kishës Ortodokse Ruse në këtë mënyrë e karakterizoi kohë tonë: “ Ne e quajmë kohën tonë – kohë të krishtërimit të dytë të Rusisë. Krishtërimi i parë u krye nga Knjazi ( princi) i madh Vladimir. Ndërsa përtëritja e dytë e jetës shpirtërore, jetës së manastireve, famullive filloi në vitin e kremtimit të mijëvjeçarit të krishtërimit të Rusisë. Ishte pikërisht Patriarku Aleksi ai që realizoi krishtërimin e dytë të Rusisë, që e nxorri Rusinë nga qorrsokaku ateist, që i ktheu vendit dhe qytetarëve të tij besimin ortodoks dhe vlerat e krishtere.