Sipas njoftimeve të agjencive informative nga Tirana, vizita zyrtare e Kryeministrit të Italisë Silvio Berluskoni në Shqipëri u kurorëzua me nënshkrimin e një sërë marrëveshjeve të rëndësishme. Fjalë bëhet mbi realizimin e dy projekteve të mëdha në sferën energjetike me vlerë prej më tepër se 2 miliardë euro. Një nga ato parashikon ndërtimin në rajonin e qytetit Fier nga biznes grupi italian “ Falcione ” të terminalit për pranimin e cisternave me gaz të lëngëzuar që do të vijë nga Afrika e Veriut dhe Katari. Dokumenti tjetër i kushtohet ndërtimit në Shqipëri të kompleksit nga më të mëdhenjtë në Evropë të sistemeve të prodhimit të energjisë eolike, pra energjisë me erë, për sigurimin e energjisë elektrike me rëndësi jetike për vendin. Ju propozojmë të njiheni me komentin e vëzhguesit tonë Pjotër Iskenderov kushtuar kësaj teme. Vizita e Kryeministrit italian Silvio Berluskoni në Shqipëri dhe nënshkrimi prej palëve i një kompleksi të tërë marrëveshjesh në sferën energjetike lejon të flitet për forcimin e njërit prej drejtimeve më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal ballkanik. “ Ambicioze ” — në këtë mënyrë i karakterizuan mjetet shqiptare të informimit masiv marrëveshjet e arritura dhe kjo karakteristikë është mëse e saktë. Italia, si vendi që mban lidhjet më të ngushta me Ballkanin në kuadrin e BE, dhe Shqipëria, e cila i ka vënë qëllim vetes anëtarësimin në këtë organizatë, janë të interesuara objektivisht për arritjen e stabilitetit në rajon pavarësisht nga deklaratat në frymë radikale që tingëllojnë herë pas here në Tiranë në lidhje me Kosovën. “ Unë mendoj se punës me konfliktet etnike në Ballkan do të mund ti jepet fund njëherë e mirë vetëm me hyrjen e plotë të Ballkanit në familjen e madhe të popujve evropianë ” - këto fjalë të Silvio Berluskonit, të shprehura në konferencën përfundimtare për shtyp, pasqyrojnë si s’ka më mirë qendrimin pozitiv të qeverisë italiane. Sigurisht me kusht që Roma të realizojë në mënyrë logjike idenë e vet duke dalë po kaq aktivisht për pranimin në BE, të themi, të Serbisë, me të cilën Shqipërinë e lidhin, duke u shprehur butë këtu, marrëdhënie reciproke aspak të thjeshta. Por sido që të jetë në të vërtetë, bashkëpunimi ekonomik i Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike si me njëri - tjetrin, ashtu dhe me lojtarët kyçë të BE, është i aftë të bëhet pikërisht ai faktor stabilizues i cili do të frenojë forcat me prirje nacionaliste të rajonit për realizimin e projekteve të veta të rrezikshme - qofshin këto idetë e bujshme fuqimëdha apo mbështetja e fshehtë e këtyre ose atyre forcave ekstremiste dhe iniciativave të dyshimta. Në kushtet aspak të lehta të realitetit ballkanik nuk duhet nënvleftësuar kurrësesi edhe rëndësia e bashkëpunimit politiko — diplomatik shqiptaro — italian. Jo krejt rastësisht gjatë bisedimeve në Tiranë të kryeministrave të të dyja vendeve, përkatësisht, Silvio Berluskoni dhe Sali Berisha, u diskutua edhe çështja që ka të bëjë me liberalizimin e procedurës së dhënies së vizave italiane për qytetarët e Shqipërisë duke filluar që nga viti 2009. “ Unë mbaj një qendrim plotësisht pozitiv ndaj kësaj gjëje ” — kështu sinjor Berlusloni iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me thjeshtësimin e regjimit të vizave midis Shqipërisë dhe Italisë duke filluar që nga viti i ardhshëm. Vetkuptohet se zgjidhja e këtij problemi kërkon nga Tirana ashpërsimin e luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe shfaqjeve të tjera kriminale. Dhe në këto kushte ajo zor se do të marë guximin të dalë me deklarata dhe iniciativa të rrezikshme në nivel mbarë ballkanik.