Kur  flasim  për  festën e Ditës  së Flamurit, që po kremtohet tani në Republikën e Shqipërisë , nuk mund të mos kujtohen kushtet aspak të thjeshta , në të cilat në fillim të shekullit të XX-të ka ardhur duke lindur  shteti  shqiptar.  Ai u bë fryt jo vetëm i luftës heroike të patriotëve shqiptarë, por edhe përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare , të cilat për tre dekada përshkuan rrugën nga mospërfillja e plotë e ngjarjeve në Shqipëri deri tek marrja parasysh e çështjes shqiptare si një  prej  çështjeve  kyçe  në Ballkan . Dhe një rol i rëndësishëm  në këtë proces i takon Rusisë. Kësaj  i kushtoi  bisedën e vet vëzhguesi  ynë Pjotër  Iskënderov, kandidat i shkencave  historike. Kontaktet e para aktive të liderëve të Lëvizjes  kombëtare shqiptare dhe përfaqësuesve të Rusisë në Ballkan datohen në fillim të shekullit të XX-të , periudha e ngritjes së lëvizjes kombëtare shqiptare kundër Perandorisë Osmane , që  arriti kulminacionin e vet gjatë kryengritjeve të armatosura të periudhës së viteve  1910 -1912. Një prej dokumenteve të para diplomatike, në të cilin flitej për shkallën  e aktivizimit të lëvizjes  shqiptare, mund të  konsiderohej raporti i përfaqësuesit  të Rusisë në Prizren  Razumovski  i datës  4 maj të vitit 1910 që vinte në  dukje se lëvizja shqiptare, e cila filloi për shkak të vënies në kohë të pavolitshme të tatimit qytetar, ka marrë kohët e fundit një karakter plotësisht parimor, atë të luftës kundër turqve të rinj. Po në këtë kohë dalin shkrime  të shumta për situatën në tokat shqiptare të shtypit të Rusisë. Ndër të tjera , siç vihej në dukje me të  drejtë në një artikull të gjatë të gazetës  “ Novoje vremja” të datës 30 maj të vitit 1910 me titull “ Rëndësia  e lëvizjes  shqiptare”, kufijtë territorialë të përhapjes    çështjes shqiptare përfshinin në këtë apo atë masë të gjitha vilajetet e Turqisë dhe aureola e kryengritjes  mund të zgjerohej kollaj, duke tërhequr në orbitën e vet fiset e shumta shqiptare, si  të besimit katolik , ashtu dhe atij mysliman. Interesimi i Rusisë për ngjarjet në Shqipëri ishte i lidhur, në radhë të parë, me nevojën e sqarimit të qëllimeve të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe perspektivave të bashkëveprimit të saj me lëvizjet analogjike në gjirin e popujve sllavë të Gadishullit Ballkanik, kryesisht ato të bullgarëve, serbëve dhe malazezëve. Njëkohësisht Sankt – Petersburgu dënonte synimet ekspansioniste të udhëheqjes serbe dhe malazeze, të cilat mund të çonin në një acarim të ri, të theksuar të marrëdhënieve dhe bile në një konflikt ushtarak dhe ndërhyrje kolektive të fuqive të mëdha. Ndër të tjera, në një telegram sekret të ministrit të punëve të jashtme të Rusisë Aleksandër Izvolski, drejtuar të ngarkuarit me punë ad interim të Rusisë në Cetinjë më 13 maj të vitit 1919 theksohej domosdoshmëria që mbretit malazez Nikola t’i jepej një këshillë këmbëngulëse që të hiqte dorë nga planet e veta ndaj Shqipërisë dhe “ të ndalonte të gjitha veprimet në këtë drejtim ”. Në korrik të vitit 1912 korrespondenti special i gazetës “ Rjeç ”, që dilte në Sankt – Petersburg, Viktorov, i cili dallohej ndër kolegët e vet për objektivitetin, interesimin dhe njohuritë në fushën e ngjarjeve shqiptare, vizitoi selinë e njërit prej udhëheqësve të kryengritjes së radhës Riza – bej dhe pati me të një bisedë në prani të liderëve të tjerë shqiptarë, ndër të tjera, të Bajram Currit dhe Hasan – bejit. Gjatë bisedës së vazhdueshme Riza – beu deklaroi si vijon: “ Ne luftojmë për atë që populli i madh shqiptar të marrë të drejtat që i takojnë atij. Ne nuk jemi rebelë. Ne dëshirojmë që në të gjithë Perandorinë Osmane të vendoset paqja. Ne dëshirojmë që Padishau ynë të jetojë në harmoni me Rusinë, sepse ne njohim vetëm dy popuj të mëdhenj – popullin tonë dhe popullin rus ”. Duke folur për marrëdhëniet e athershme reciprike të Rusisë dhe Lëvizjes çlirimtare shqiptare duhet të merret parasysh se për Sankt – Petersburgun ato objektivisht mbeteshin në hije të zhvillimit të marrëdhënieve prej aleatësh me Serbinë dhe Malin e Zi. Megjithatë nuk duhet të lihet në harrësë se ishte pikërisht diplomacia e Rusisë ajo që gjatë punimeve të Mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, në periudhën e viteve 1912 – 1913 pranoi futjen në përbërjen e shtetit shqiptar të një sërë rajonesh me rëndësi strategjike ( në radhë të parë, Shkodrës ), megjithë protestat e Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa në vjeshtë të vitit 1913 Sankt – Petersburgu nuk përkrahu planet e udhëheqjes serbe për të organizuar një ekspeditë të re ushtarake në drejtim të Detit Adriatik nëpër territorin shqiptar. Kjo lejoi zgjidhjen me mjete paqësore të krizës së ashpër ndërkombëtare dhe ndihmoi për forcimin e pozitave të shtetit të ri shqiptar.