Përvjetori i pestë i të ashtuquajturit “ revolucion i trëndafiltë ” në Gjeorgji kaloi pa trëndafila. Bile më tepër se kaq, ai u shënua nga një sërë skandalesh. Ja ç’shkruan më hollësisht në lidhje me këtë fakt vëzhguesi ynë Vjaçesllav Sollovjov.

Duam t’ju kujtojmë se në vitin 2003, si rezultat i protestave rrugore në Gjeorgji, u ndërrua pushteti. Motivacioni kryesor i të ashtuquajturit “ revolucion ” ishte falsifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, të cilat u zhvilluan një ditë më parë. Si rezultat, vendi filloi të drejtohet nga Mihaill Saakashvili, politikan i ri në moshë ky me orientim proamerikan. Por duke iu rikthyer temës së skandaleve, duhet të përmendet incidenti me presidentin e Polonisë Leh Kaçinskij, i cili apostafat mbërriti në Gjeorgji për të kremtuar përvjetorin e pestë të revolucionit të trëndafiltë. Mysafiri i propozoi presidentit të Gjeorgjisë, i cili kishte dalë për ta pritur atë, që të drejtoheshin menjëherë nga aeroporti për në zonën kufitare me Osetinë e Jugut, ku kortezhi i tyre, gjoja, iu nënshtrua bombardimit nga ana e ushtarakëve të Rusisë. Ndonëse , siç thotë Irina Gallgojeva, kryetare e Komitetit  të Informacionit dhe Shtypit të kësaj republike, të dielën e kaluar nuk janë regjistruar kurrëfarë incidentesh të armatosura në kufirin e Osetisë së Jugut me Gjeorgjinë. Pala osetiniane e vlerëson këtë incident si provokacion nga ana e Gjeorgjisë. Ai mund të shfrytëzohet gjithashtu edhe si një pretekst i ri për veprime agresive nga ana e Gjeorgjisë ndaj Osetisë së Jugut, u shpreh në një bisedë telefonike Irina Gallgojeva.

Por edhe pa incidentin e trilluar me presidentin polak jubileu i “ revolucionit të trëndafiltë ” në Gjeorgji  doli tejet i pahijshëm. Në opozitë me kryetarin e tanishëm të shtetit, Mihaill Saakashvilin, janë tani praktikisht të gjithë ata, të cilët para 5 vjetësh e ndihmuan atë të zërë postin e vet: Nino Burxhanaxe, kryetare e parlamentit; Georgi Haindrava, ministër për rregullimin e konflikteve; Irakli Okruashvili, ministër i mbrojtjes; Salome Zurabishvili, ministre e punëve të jashtme; Koba Davitashvili, lider i parisë së tij  - gjithë këta persona janë ish funksionarë dhe e akuzojnë shokun e tyre të luftës për minimin e demokracisë dhe humbjen e tërësisë territoriale të republikës, domethënë, për lënien në harresë të plotë të atyre parullave dhe parimeve , me të cilat ai erdhi në fuqi. Mihaill Saakashvili që nuk është në gjendje të formulojë dhe të zbatojë një politikë, e cila tu përgjigjet interesave kombëtare të Gjeorgjisë, po ndjek kursin për hyrjen sa më të shpejtë të vendit në NATO nën pretekstin e rrezikut kërcënues nga ana e Rusisë dhe masakron në mënyrë të pamëshirshme opozitën . Si rezultat vendi e festoi përvjetorin e pestë të “ revolucionit të trëndafiltë ” në kushtet e krizës ekonomiko – shoqërore dhe politike nga më të thellat.