Sipas njoftimeve nga Gjermania , autoritetet e këtij vendi ia hynë hetimit të hollësishëm të rrethanave të ndalimit në Kosovë të tre qytetarëve gjermanë. Ata akuzohen për atë se kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me veprimtarinë terroriste. Veç kësaj, sipas  të dhënave të mediave gjermane, po shqyrtohet çështja në se janë ata apo jo bashkëpunëtorë të shërbimit zbulues federal. Ndiqni komentin e vëzhguesit tonë, kandidatit të shkencave historike, Pjotër Iskenderov.

   Skandali rreth veprimtarisë së dyshimtë të shërbimeve speciale gjermane në Kosovë po vjen duke marrë forcë. Shërbimi zbulues federal po zhvillon një hetim të brendshëm. Qeveria, siç del nga deklarata e përfaqësuesit të saj Tomas Shteg, gjithashtu po vëzhgon me vemendje të përqendruar situatën e krijuar. Në qoftë se do të dalë se ndonjëri prej të ndaluarëve në Kosovë hyn në organikën e shërbimit zbulues federal, atëhere informacioni përkatës do ti paraqitet menjëherë komisionit special të Bundestagut. Anëtarët e tij e njohin mjaft mirë Ernst Urllau-un, kreun e shërbimit zbulues federal, të cilit sivjet tashmë iu dëgjua zëri në lidhje me çështjen e perlustrimit të paligjshëm të postës elektronike të një bashkëpunëtoreje të së përjavshmes “ Spiegel ”. Në rastin më të mirë për shërbimet speciale të Gjermanisë do të dalë se përfaqësuesit e tyre janë marrë në Kosovë me një veprimtari  të fshehtë pa dijeninë e parlamentit të vet. Njëherazi dy botime të autoritetshme gjermane – “ Spiegel ” dhe “ Suddeutsche Zejtung ”, shkruajnë se, sipas të dhënave të burimeve në Prishtinë,  tre qytetarët gjermanë mund të kishin të bënin drejtpërsëdrejti me organizimin e shpërthimit të 14 nëntorit pranë selisë së përfaqësuesit special tëBE në Kosovë Piter Fejt. Shpërthimi buçiti në kulmin e protestave të shqiptarëve kosovarë kundër planit të vendosjes në Kosovë të Misionit të Organizatës panevropiane, i cili ishte bashkërenditur me Beogradin. Udhëheqja e Organizatës e vlersoi shpërthimin si diversion. Dhe ja, tani zbulohet se me këtë akt mund të kishin të bënin direkt shërbimet speciale të njërit prej vendeve më të autoritetshme të saj. Incidenti me aventurat e çuditshme të tre gjermanëve në Prishtinë, pa dyshim, do të acarojë akoma dhe më shumë situatën rreth vendosjes në Prishtinë të Misionit civilo – policor të BE. Megjithë përpjekjet e parreshtura të OKB-së  dhe BE për ta bërë Prishtinën të anojë nga kompromisi, presidenti kosovar Fatmir Sejdiu ngulmon në atë që procesi i vendosjes së Misionit të BE të realizohet në përputhje me planin e Ahtisaarit dhe kushtetutën e Kosovës. Ndërsa plani i Marti Ahtisaarit, ish të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së , parashikon dhënien e pavarësisë krahinës në kundërshtim të plotë me mendimet e Serbisë dhe Rusisë. Me njohjen e pavarësisë së kundërligjshme të Kosovës, SHBA-s dhe liderët e Organizatës panevropiane e kanë futur në qorrsokak edhe veten, edhe procesin e rregullimit  të problemit kosovar. Dhe tani nga ata do të kërkohet një burrëri e madhe që ta kthejnë situatën në rrugën ligjore.