0Kandidati për president i SHBA-s nga partia republikane, senatori Xhon Makkejn konfirmoi këto ditë synimin e vet për të arritur përjashtimin e Rusisë nga “ tetëshja e madhe ” në rast të zgjedhjes së tij në postin më të lartë shtetëror gjatë zgjedhjeve të pritshme të nëntorit. Në programin tonë informativ – analitik “ Vendi dhe bota ” ne i propozojmë vemendjes së radiodëgjuesve tanë komentin e vëzhguesit politik të r/s “ Zëri i Rusisë ” Viktor Jenjikejev kushtuar kësaj teme. 



0Senatori Makkejn ngjason shumë me një sherrxhi – grindavec të prapë i cili kërcënohet me grushta përpara fytyrës së njeriut që i zgjat atij dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit. Kjo, sigurisht, është për të ardhur shumë keq, meqenëse ai së shpejti mund të zërë kolltukun e presidentit të SHBA-s. Në njëfarë kuptimi situatën e ekuilibron ai fakt, se pretendenti tjetër për vendin e të zotit të Shtëpisë së Bardhë – senatori — demokrat Barrak Obama e quan të nevojshëm bashkëpunimin me Rusinë në zgjidhjen e problemeve më të rëndësishme globale. Ndërsa pikërisht në këtë dhe konsiston një nga detyrat që shtrohen përpara “ tetëshe së madhe ”. Meqë ra fjala, asnjë nga pjesëmarrësit e tjerë të “ grupit të tetëshes ” nuk i mbështet thirrjet e senatorit Makkejn.


0Nuk është sekret për askënd se edhe në vetë Amerikë atij i është dashur të dëgjojë jo pak kritika për shprehjet e thëniet armiqësore në adresë të Rusisë. Dhe, u krijua iluzioni, sikur ai nxorri konkluzione të caktuara nga kjo. Por sido që të jetë në të vërtetë, një përshtypje e tillë iu krijua senatorëve ruse nga takimi që zhvilluan disa ditë më parë në Uashington me përfaqësuesit e shtabit të Makkejnit. Del, pra, se, optimizmi i njohur, i shfaqur nga ata ishte krejtësisht i pabazë. Megjithëse ka shumë mundësi që kandidati për president luan vetëm rolin e njëfarëlloj shamataxhiu të regjur, me përvojë të madhe, të kalitur në kohërat e “ luftës së ftohtë ”, i cili është i gatshëm ta rradhisë gjithë pjesën tjetër të botës sipas stilit amerikan të qëndrimit ushtarak “ gati — tu ! ”. Nga ana tjetër, çdo nëpunës shtetëror mendjekthjellët, me arsye të shëndoshë duhet ta kuptojë gjithë dëmshmërinë, fatalitetin dhe pamoralshmërinë e një politike të tillë, e cila, me që ra fjala, e ka demonstruar prej kohësh pathemelshmërinë e vet. Përpjekjet e Uashingtonit për ti dhënë leksione Rusisë, për ta mësuar atë, për ti vënë nota për sjelljen e saj në arenën ndërkombëtarë kanë patur përherë pamje qesharake. Për më tepër se ato janë të destinuara për dështim të plotë tani që Rusia ka fituar potencë të madhe ekonomike, dhe, ndryshe nga SHBA-s, gëzon autoritet dhe ndikim në rritje në botë.


0Do të ishte mirë për senatorin Makkejn që të vinte vath në vesh, se Rusia do të vazhdojë një politikë të tillë të jashtme e cila ti përgjigjet interesave të saj kombëtare dhe jo atyre të xhaxhait të përtej oqeanit. Prandaj ajo do të vazhdojë të dalë kundër zgjerimit të NATO-s në drejtim të Lindjes, kundër krijimit të bazave të sistemit amerikan të MAR në Poloni dhe Çeki, për rregulla të ndershme, të kuptueshme e të barabarta loje në arenën ndërkombëtare, për respektimin e Statutit të OKB-së. Dhe kjo pozitë e Moskës nuk varet kurrësesi nga ajo se cili do të bëhet i zoti i ri i Shtëpisë së Bardhë.