Sonte ne do të vizitojmë së bashku, të dashur miq, një rajon të veçantë – qarkun e Kaliningradit. Në të hyjnë jo vetëm tokat më perëndimore të vendit, por ai është edhe një enklavë që ndodhet në brigjet e Detit Baltik dhe i veçuar plotësisht nga territori kryesor i Rusisë. Kufij tokësorë rajoni ka vetëm me Lituaninë dhe Poloninë. Por kjo është një nga krahinat më të rëndësishme të vendit që lidh dhe afron Rusinë me Evropën. Qendër e qarkut është qyteti Kaliningrad.

Në shtator të këtij viti qarku i Kaliningradit kremtoi 60 vjetorin e vet. Ai u bë pjesë e Rusisë me vendim të Konferencës së Postdamit, e cila nxorri përfundimet e Luftës së Dytë Botërore. Bashkimit Sovjetik, i cili korri fitoren mbi Gjermaninë fashiste, iu dha një pjesë e territorit që hynte në përbërjen e Prusisë Lindore. Toka këto, për të cilat, ushtarët sovjetikë derdhën një det me gjak gjatë çlirimit të Evropës nga fashizmi.

Meqë ra fjala do të shtojmë këtu, se territori i qarkut të Kaliningradit edhe në shekullin e XVIII-të për një farë kohe ka qenë i përfshirë nën pushtetin e kurorës së Perandorisë Ruse. Në kujtim të kësaj në stemën e qarkut deri tani të zë syri kurorën mbretërore dhe monogramin personal të perandoreshës Elizabeta. Por në këtë stemë ka dhe simbole të tjera – p.sh., në të figuron gjithashtu edhe silueta e një kështjelle me dritare të hapura. Ky është mishërim i idesë së të qenurit i hapur për të gjithë, mikpritës dhe respektues i fqinjësisë së mirë.

Porta simbolike në stemën e qarkut të Kaliningradit është e hapur në drejtim të Evropës, para së gjithash për në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo simbolikë është krejtësisht reale meqenëse në këtë qark po realizohet aktualisht projekti pilot për integrimin e Rusisë në Bashkimin Evropian. Bazë e tij është krijimi i zonës së posaçme ekonomike. Një status të tillë të përforcuar në mënyrë legjislative gëzon ky qark. Kurse kjo do të thotë se atje vepron një sistem i tërë privilegjesh, të cilat lehtësojnë zhvillimin e biznesit të përbashkët, krijojnë kushte të favorshme për investitorët e huaj.

Një politikë e tillë ekonomike tashmë ka sjellë frytet e veta të ndjeshme.  Aktualisht në qark punojnë më tepër se 2 mijë ndërmarrje me kapital të huaj – polak, lituanez, gjerman e kështu me radhë … Ndër ndërmarrjet më të mëdha të përbashkëta mund të përmendim  — uzinën e montimit të makinave të koncernit BMV, uzinën e prodhimit të frigoriferëve që përdoren në jetën e përditshme të firmës lituaneze “Snajge”. Në bazë të investimeve të huaja është krijuar një degë e tërë për prodhimin e mobiljeve, e cila konkuron me mjaft sukses si në tregun e brendshëm, ashtu dhe në Evropë.

Ekonomia e qarkut të Kaliningradit është e lidhur ngushtë me detin. Këtu ndodhen portet që nuk ngrijnë kurrë, të cilët janë nyje të rëndësishme transporti të Rusisë. Në këtë qark është mjaft e zhvilluar industria e peshkut, dhe duhet thënë këtu se prodhimet e saj janë shumë të kërkuara si në mbarë Rusinë, ashtu dhe jashtë shtetit.

Në Kaliningrad ndërtojnë jo vetëm anije civile, por edhe anije të destinacionit ushtarak për Flotën ushtarako — detare të Baltikut. Një pjesë e mirë e saj bazohet në në territorin e qarkut, i cili, duam t’ju kujtojmë dëgjuesve tanë të nderuar, është i rrethuar nga vendet e NATO-s. Kështu që, për Rusinë qarku i Kaliningradit është gjithashtu edhe një rajon me rëndësi të madhe strategjiko — ushtarake, në të cilin Rusia ka mundësi të krijojë kundërpeshën e vet ndaj potencialit ushtarak të NATO-s.

Ëndërr e shenjtë për shumë turistë që vijnë në qarkun e Kaliningradit është të gjejnë në bregun e Detit Baltik ndonjë copëz guri qelibar. Dhe kjo dëshirë e tyre, duhet thënë, se jo rrallë bëhet realitet. Dallgët e detit, veçanërisht, pas shtrëngatës, hedhin në plazhet me rërë një mori të tërë grimcash e copëzash qelibari. Jo më kot qarkun e Kaliningradit e quajnë krahinë qelibari të Rusisë. Këtu janë përqendruar 90 % e rezervave botërore të këtij guri diellor.

Në territorin e qarkut të Kaliningradit ndodhet edhe gati gjysma e parkut unikal natyror “ Kurshskaja Kasa ”, i cili është marrë nën mbrojtje nga UNESKO. Kurshskaja Kasa, kjo gjuhë toke që shtrihet pothuajse 100 kilometra përgjatë territorit të qarkut rus dhe Lituanisë, përbën në vetvete një gadishull ranor, i cili ndan detin Baltik dhe gjirin me ujë të ëmbël të Kurshskut. Të habit pa masë larmia e relievit të tij të krijuar nga dunat e rërës dhe pyjet. Në vjeshtë dhe në pranverë kjo gjuhë toke shndërrohet në mbretëri të zogjve. Trumba të shumta zogjsh të ndryshëm bëjnë ndalesën e tyre këtu gjatë migracionit sezonal.

Në Kaliningrad ruajnë me kujdes e përkushtim të veçantë kujtimin për të kaluarën historike të kësaj toke, për ato kohëra kur qyteti quhej Kenigsberg. Për njerëzit, që patën jetuar dikur këtu – të cilët pasuruan kulturën botërore. Ndër ta mund të përmendim, para së gjithash, filozofin e shekullit të XVIII-të Imanuil Kant. Gjithë jetën e vet shkencëtari – humanist e kaloi në Kenigsberg. Varri i tij ndodhet në territorin e Kryekishës Katedrale të këtij qyteti. Në ditët tona në tempullin në fjalë është hapur muzeu i Kantit, kurse Universiteti i Kaliningradit mban emrin e këtij filozofi të madh.

Qarku i Kaliningradit zë në jetën kulturore të vendit një vend po të tillë të veçantë, si dhe në sfera të tjera. Këtu organizohet diçka e tillë që nuk bëhet më në asnjë rajon tjetër të Rusisë. P.sh., konkursi ndërkombëtar i organistëve që mban emrin e Tariverdijevit, ose konkursi “ Bilbili i qelibartë ”, i cili mbledh vokalistët e profilit të muzikës së dhomës.

Kurse tani përqendroni vemendjen tuaj, të nderuar radiodëgjues, ndaj pyetjes së radhës të viktorinës sonë: “Çfarë date jubilare kremtoi këtë vit qarku i Kaliningradit?”.

Sp. Pergjigjet e pyetjeve mund të na i dërgoni në adresë të redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe të radiostacionit “ Zëri i Rusisë ” ose nëpërmjet postës elektronike me këtë adresë: letters@vor.ru